Buxheti 2024–2026/ Qeveria gati rritjen e pagave për disa sektorë

Ekonomi | 3 vite më parë

Qeveria shqiptare po përgatit rritje pagash për mjekët, infermierët, ushtarakët dhe policët e burgjeve për periudhën 2024–2026.

Konkretisht, gjatë vitit 2024 parashikohet të përfitojnë nga politika e rritjes së pagave 18 858 punonjës të sistemit shëndetësor.

Përgjatë dy viteve do të realizohet rritja mesatare për mjekët dhe infermierët që varion nga 26% në 34% të pagës bruto.

Po ashtu, për vitin 2024, 6 756 punonjës të Forcave të Armatosura do të përfitojnë rritje të pagës sipas gradës me 4–22%.

Rreth 12,120 punonjës të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit do të përfitojnë rritje të pagës për gradë me 7% për vitin 2023 dhe 21–35% në vitin 2024.

Rreth 3.566 punonjës të Policisë së Burgjeve, do të përfitojnë rritje të pagës për gradë me 7% për vitin 2023 dhe 22–36% në vitin 2024.

Rritja e pagave shihet si një politikë konstante buxhetore e qeverisë dhe po planifikohet edhe në buxhetet afatmesme.

Në fillim të këtij viti, qeveria deklaroi se ka në plan rritjen e pagave në sistemin shëndetësor për dy vitet e ardhshme. Për këtë kategori ka një mbështetje financiare prej pikënisjes, me 63% paga të rritura për personelin mjekësor. Kjo erdhi pas rritjes së pagës së mjekëve specialistë me 50 mijë lekë të rinj në muaj dhe zotimi për rritjen e pagës me 7% për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët.

Kësisoj, paga e mjekëve të përgjithshëm nga 59 mijë lekë do të shkojë mbi 111 mijë lekë. Paga e infermierëve shkoi mbi 72 mijë lekë, pa llogaritur shtesën e cituar.

Specialistët në QSUT do ta kenë pagën 174 mijë lekë, por mjekët e përgjithshëm do të shkojnë në mbi 131 mijë lekë dhe infermieret deri 87 mijë lekë.

Ambicia e qeverisë është që paga mesatare në Shqipëri të shkojë 900 euro.

Vetëm pak kohë më parë Kuvendi ka miratuar një ligj për pagat e funksionarëve të lartë dhe institucionet e pavarura kushtetuese, me rritje të pagave nga 64 deri ne 82 për qind të pagës aktuale.

Në vitin 2023, fondi i pagave u rrit me rreth 8 miliardë lekë, duke faktorizuar rritjen për këtë vit, por edhe rritjet për vitin 2024, për sektorin e shëndetësisë, arsimit, për ushtarakët dhe për zjarrfikësit.

FMN thekson se rritja e buxhetit për pagat e sektorit publik duhet shoqëruar me masa për të ardhurat dhe të mos rrezikojë objektivat afatmesme të konsolidimit fiskal.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme