Celibashi: Kemi numëruar 35% të votave të diasporës

Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në një prononcim për mediat nga Parku Olimpik, ka ndarë me median shifrat më të fundit sa i takon procesit të numërimit të votave për kandidatët në rang kombëtar.
Për sa i takon vendimmarrjes së KAS për votat e ardhura nga shteti grek, Celibashi tha se, “edhe pse mund t’ju duket e çuditshme ne ende nuk kemi marr asnjë njoftim nga KAS në lidhje me këtë vendim. Është një vendim i shpallur publikisht por do të presim arsyetimin e vendimit se cila aspekte të kësaj vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror ky vendim është anuluar.
Duke iu referuar të dhënave të fundit, Celibashi njoftoi se, “janë vetëm 2 KZAZ ku akoma nuk ka përfunduar numërimi i votave, nr.36 dhe 40. Në total janë 22 qendra votimi për të dyja KZAZ-të për të cilat ne akoma nuk kemi rezultatet. Ndërkohë, janë 91 KZAZ ku ka përfunduar procesi i vlerësimit të votave, janë 22 ku ka përfunduar vlerësimi për kandidatët e listës së hapur dhe janë në qarkun Shkodër 2 KZAZ, Kukës 2 KZAZ, Berat 2 KZAZ, Dibër 2 KZAZ, Korçë 2 KZAZ, Gjirokastër 6 KZAZ, Vlorë 4 KZAZ dhe Tirana me 2 KZAZ. Në 81 KZAZ është duke përfunduar edhe procesi për vlerësimin e votave për kandidatët në listën shumëemërore. Ky proces nuk ka filluar akoma në 7 KZAZ, janë 3 në qarkun e Durrësit dhe në 4 KZAZ të qarkut Tiranë për numërimin e votave për kandidatët në listë të hapur”, deklaroi kreu i KQZ-së.
Ilirjan Celibashi, ka reaguar gjithashtu në lidhje me një denoncim të Partisë Demokratike mbi dyshimet për manipulim votash në KZAZ nr. 40, përmes asaj që njihet si fenomeni i “trenit bullgar”.
Celibashi u shpreh se ishte informuar publikisht për këtë denoncim dhe garantoi se KQZ do të vendosë në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme për të gjitha subjektet politike, përfshirë pamjet e kërkuara nga PD.
“Nëse kjo ka ndodhur, jemi përpara një vepre penale,” tha Celibashi. “Është rasti për të pasur atë fokus që duhet, për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij rasti, nëse provohet se ka ekzistuar fenomeni i ‘trenin bullgar’, i futjes së fletëve të votimit nga jashtë dhe nxjerrjes së fletëve të vërteta te ai që ka sponsorizuar këtë gjë.”
Ai theksoi se transparenca është prioriteti i KQZ-së dhe çdo rast i dyshuar do të trajtohet me seriozitetin maksimal në bashkëpunim me organet hetimore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





