Çështja “Beleri” dhe integrimi europian, Meta: Procesin e pengon shumica dhe Rama

Ilir Meta fajëson qeverinë për mungesën e demokracisë në vend dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, dhe duke iu referuar rastit “Beleri”, ai shprehet se nuk është çështje mes dy shteteve.
Për kreun e Partisë së Lirisë, integrimi i vendit në familjen e madhe europiane duhet të ishte kryer vite më parë dhe si shembull ai solli Malin e Zi dhe Serbinë, që procesin e stabilizim-asocimit e nisën vite pas Shqipërisë.
“Çështja Beleri nuk është mes Shqipërisë dhe Greqisë, por problem skandaloz i mungesës së vetë demokracisë, shtetit të së drejtës dhe tregues flagrant i kapjes së shtetit nga kryeministri dhe qeveria, që nga policia, prokuroria, gjykatat e çdo element tjetër. Që nga dëshmitarët e rremë, e po kështu bllokimi i betimit të tij është antikushtetues. Është penguar të bëjë betimin, edhe pse në kushtet e një rrëmbimi mafioz nga policia e Ramës. Ky është problem i demokracisë në Shqipëri, edhe vetë zgjedhjet, por për shkak të rrethanave të veçanta kjo çështje ka marrë jehonë. Është së pari një problem i demokracisë në Shqipëri, tregon ndërhyrjen kriminale të shtetit, para dhe pas zgjedhjeve, kapjen prej fyti të drejtësisë,” deklaroi z. Meta.
Kryetari i PL-së i bëri komentet në një dalje për gazetarët, ku foli për përballimin e jetës së pensionistëve dhe ilaçeve që i duhen për kurim, dhe për këtë, forca politike që drejton pritet të propozojë nismë në ndihmë të rreth 700 mijë personave të kësaj kategorie.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




