Çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës/ Senati amerikan: Serbia i diskriminon vazhdimisht

Rajon | 3 vite më parë

Senati Amerikan ka marrë në shqyrtim për herë të parë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Duke folur në seancën dëgjimore mbi angazhimin amerikan në Ballkan, senatori Bob Menendez i cili drejtoi edhe mbledhjen deklaroi se administrata amerikane duhet të angazhohet për çështjen e shqiptarëve të Luginës.

Menedez nënvizoi se pakica shqiptare në Serbi i nënshtrohet diskriminimit të vazhdueshëm nga Serbia. Ai tha se atyre iu merren kartat e identitetit me qëllim që shqiptarët e Luginës së Preshevës të konsiderohen qytetarë pa shtetësi.

“Kam dëgjuar se shqiptarët etnik në Luginën e Preshevës i nënshtrohen një diskriminimi të vazhdueshëm. Atyre iu merren kartat e identitetit me qëllimin për t’i lënë pa shtetësi”, ka deklaruar kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez.

Ndërkaq, më herët senatori Bob Menedez lëshoi akuza të forta në drejtim të Serbisë.

Duke folur gjatë drejtimit të mbledhjes së Komitetit për Punët e Jashtme, Menedez theksoi se në negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, aktorët nuk po veprojnë njëlloj dhe në mirëbesim. Për këtë aryse, ai përmendi Vuçiçin kur tha se “tjetër gjë iu thotë liderëve perëndimorë, tjetër gjë i thotë popullit serb përmes mediave të kontrolluara nga shteti”.

Menendezin vuri në dukje se ka një ngjashmëri të madhe mes retorikës së Vuçiçit dhe asaj të presidentit rus Vladimir Putin.

“Duke kontrolluar informacionin, duke minuar shoqërinë civile, Vuçiç vazhdon të promovojë narrativën kombëtare serbe për kombin e madh serb, që i ngjan vizionit të Putinit për një Rusi të madhe”, theksoi ai.

Gjithashtu, Menedez shpjegoi lidhjet e ngushta mes Vuçiçit dhe Putinit, ndërsa u shpreh se Serbia refuzon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian për shkak të qëndrimit mbi sanksionet që Perëndimi i ka vendosur Rusisë pas sulmit ushtarak të kësaj të fundit ndaj Ukrainës.

Ai vuri në dukje se ndaj Kosovës ka shumë presion prej Perëndimit dhe nuk ndodh një gjë e tillë ndja Beogradit. Ndërsa hoqi paralele mes Bashkimit të Komunave Serbe, që është kushti i Serbisë për Kosovën, dhe Republikës Srpska.

“Nuk ka asnjë plan apo garanci që Bashkimi i Komunave Serbe nuk do të bëhet një Republikë Srpska tjetër. Unë shoh pasojat e rrezikshme të kësaj në Bosnje dhe Hercegovinë” tha Senatori Menendez.

Senatori përmendi edhe shkrimin e gazetës “New York Times” për lidhjet mes presidentit serb, huliganëve dhe krimit të organizuar.

Senatori Menendez i Partisë Demokratike nga shteti i Nju Xhersit, kryesoi seancën dëgjimore të zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Punëve të Jashtme (Departamenti i Shtetit) Derek Chollet dhe Gabriel Escobar mbi situatën në Ballkanin Perëndimor (Bosnjë dhe Hercegovinë. , Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria).

Gjithashtu, po në këtë mbledhje u miratua Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor sipas të cilit “ të krijohet një iniciativë rajonale e konkurrencës ekonomike, e cila do të mbështeste qëndrueshmërinë demokratike, zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në rajon. Të krijohet nisma kundër korrupsionit që drejton Sekretarin e Shtetit të ofrojë asistencë teknike për çdo vend në Ballkanin Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit. Kodifikon dy urdhra ekzekutivë të SHBA-së që do të jepnin autoritet për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe janë të përfshirë në sjellje korruptive. Nxit partneritetet universitare dhe iniciativat rinore, inkurajon angazhimin e Korpusit të Paqes në rajon dhe kërkon që Korporata Financiare e Zhvillimit të hapë një zyrë të shpallur më parë në rajon”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme