“Çmendet” Mbappe

E ardhmja e Kylian Mbappé është ende për t’u përcaktuar. Kampioni francez, pasi ka njoftuar PSG-në se nuk dëshiron të rinovojë kontratën e tij, që i skadon në vitin 2024, vazhdon të jetë i lidhur me Real Madridin, të cilin e kishte afër edhe vitin e kaluar. Klubi parizien padyshim që nuk do të ishte i kënaqur që ta humbte futbollistin me kosto zero. Ndaj në rast se Mbappe nuk ndryshon mendjen për rinovimin, klubi i Al Khelaifit dëshiron ta shesë atë që në tregun e transferimeve të kësaj vere, për të fituar sa më shumë para.
Por transferimi i francezit në Madrid është bërë më i ndërlikuar dhe ndoshta i pamundur për momentin. Sipas asaj që raporton Marca, Mbappe ka pranuar të transferohet në Spanjë vetëm nëse klubi i Florentino Perezit e siguron atë se ai do të fitojë në total 240 milionë euro. Gjithnjë sipas gazetës spanjolle, bazuar në disa burime brenda klubit të Realit të Madridit, konfirmohet se ylli i PSG-së nuk do të mbërrijë në skuadrën e Ancelottit gjatë tregut të transferimeve kësaj vere.
Kërkesa e sulmuesit francez është quajtur e pamundur për t’u realizuar nga klubi madrilen. Megjithatë, situata mbetet për t’u sqaruar, me Katarin të zemëruar me qëndrimin dhe kërkesën e çmendur të lojtarit dhe me një interes të mundshëm në sfond nga Liverpuli.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




