Çmimi Nobel për Fizikë u ndahet tre shkencëtarëve

Botë | 4 vite më parë

Çmimi Nobel për Fizikë u është ndarë tre shkencëtarëve për zbulimet e tyre në fushën e mekanikës kuantike.

Ata janë francezi Alain Aspect, amerikani John Clauser dhe austriaku Anton Zeilinger.

Mekanika kuantike e përshkruan natyrën në format e saj më të vogla.

Puna e tyre mund të hapë rrugën për një gjeneratë të re, potencialisht të pathyeshme, të kompjuterëve dhe sistemeve të komunikimit.

Ky çmim, i vjetër më shumë se një shekull, ka vlerën e 902.315 dollarëve amerikanë, dhe ndahet nga Akademia Mbretërore e Shkencave e Suedisë.

Nobeli për Fizikë është çmimi i dytë që ndahet këtë javë, pasi suedezi, Svante Paabo është nderuar në fushën e Mjekësisë më 3 tetor.

Në ditët në vazhdim do të ndahen çmimet Nobel për Paqe, Letërsi, Kimi dhe Ekonomi.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve mbahet çdo vit më 10 dhjetor, për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit (1833-1896).

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme