CNN zbulon se çfarë dinte Kina për coronavirusin, që nuk ia tregoi botës

Botë | 6 vite më parë

Një informator që thuhet se punon brenda sistemit kinez të shëndetësisë, zbuloi dokumentet për CNN online, të cilat tregojnë një reagim kaotik që prej fillimit.

CNN i ka verifikuar ato, me ekspertë, këshilltarë të sigurisë në Europë e duke përdorur analizat digjitale.

Dokumentet ofrojnë zbulime të rëndësishme lidhur me rajonin e Hubeit, ku gjendet qyteti i Wuhanit.

Fillimisht, vdekjet jo gjithmonë raportoheshin me saktësi. Në 17 shkurt, 196 persona humbën jetën sipas dokumenteve, por në raportimin zyrtar u fol për 93 viktima. E njëjta gjë duket të ketë ndodhur edhe me numrin e të infektuarve. Informacionet e brendshme sugjerojnë se në një ditë, gjatë shkurtit kishte pasur 6 mijë raste të reja, të gjitha serioze, por publikisht Kina konfirmoi vetëm 2500 të tilla.

 “Nëse Kina do të kishte qenë më transparente dhe më agresive në reagimin e saj, kjo do të kishte pasur impakt në përhapjen e virusit, edhe në pjesën tjetër të botës. Gjithashtu, autoriteteve u ishte dashur më shumë se tri javë për diagnostikimin e rasteve në fillimet e pandemisë. Ndoshta zbulimi më i rëndësishëm i përket fillimit të dhjetorit, momenti kur Covid-19 u shfaq fillimisht ne Kinë”, thotë Dali Yang, profesor i Shkencave Politike, Çikago.

Dokumentet zbulojnë se pati një rritje të madhe të rasteve të gripit në Hubei, pikërisht atëherë kur mendohet që personat e parë të jenë prekur me Covid-19. Kishte 20 herë më shumë raste gripi se normalisht.

Ekspertët thonë se spitalet mund të jenë mbushur me pacientë që kishin simptoma të ngjashme me gripin, duke e bërë të vështirë evidentimin e rasteve të para me covid-19.

Dokumentet nuk tregojnë lidhje të rasteve me koronavirusin në mënyrë direkte, por pacientët u nënshtroheshin rregullisht ekzaminimeve imazherike. Dokumentet treguan gjithashtu se epidemia gripit ishte më e përhapur gjatë javës së parë të dhjetorit jo në Wuhan por në dy qytete të tjera të afërta.

Informacionet janë të rëndësishme për të gjurmuar se ku e pati fillimisht origjinën virusi i rrezikshëm. Ministria e jashtme kineze nuk i është përgjigjur kërkesës së CNN për koment.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme