Çomo: Vetingu i domosdoshëm për kthimin e besimit te Drejtësia, nis një etapë e re për sistemin gjyqësor

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të reformës në drejtësi, pas përmbylljes së procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kështu u shpreh Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Sokol Çomo, gjatë ceremonisë përmbyllëse të këtij procesi, duke e cilësuar atë si një moment kyç në historinë institucionale të vendit.
Në fjalën e tij, Çomo theksoi se ky proces ka përfaqësuar një periudhë të vështirë për sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi, por njëkohësisht të domosdoshme për rikthimin e besimit të qytetarëve. Ai u shpreh se “kjo etapë ishte e nevojshme jo sepse masat e jashtëzakonshme janë të dëshirueshme në një demokraci, por se në atë moment të historisë sonë ato u konsideruan të domosdoshme për të rikthyer besimin e qytetarëve shqiptarë tek drejtësia dhe për të krijuar kushtet që sistemi të mund të funksiononte në mënyrë më të fortë”.
Duke e vendosur theksin te përmbyllja e këtij procesi, Çomo deklaroi se sistemi i drejtësisë tashmë duhet të kalojë në funksionimin e tij normal institucional. Sipas tij, “sot po shënohet mbyllja e një kapitulli tranzicioni dhe fillimi i një etape të re, në të cilën sistemi i drejtësisë shqiptare është thirrur të funksionojë në mënyrën e tij natyrore, jo më i mbështetur në mekanizma të posaçëm dhe të përkohshëm, por në institucionet e zakonshme të shtetit të së drejtës”.
Ai nënvizoi gjithashtu se një sistem i konsoliduar drejtësie matet nga aftësia e tij për të funksionuar në mënyrë të pavarur dhe për të ruajtur integritetin e brendshëm. “Një sistem drejtësie konsiderohet i konsoliduar kur zotëron brenda vetes aftësinë për t’u vetërregulluar, për të kërkuar llogari dhe për të ruajtur integritetin e tij në mënyrë të qëndrueshme”, u shpreh Çomo.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi edhe rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit gjatë procesit të rivlerësimit, duke e cilësuar praninë e tij si një garanci për transparencë dhe besueshmëri. “Prania e ONM-së përfaqësoi një garanci shtesë transparence, profesionalizmi dhe besueshmërie gjatë këtyre 9 viteve, ku kemi ndarë përgjegjësinë e një misioni të pazakontë dhe sfidues në shërbim të një qëllimi të përbashkët: forcimin e drejtësisë shqiptare”, theksoi ai.
Çomo vlerësoi gjithashtu faktin që Shqipëria ndërmori një reformë të thellë në drejtësi dhe e çoi atë deri në fund brenda kuadrit kushtetues dhe në respekt të parimeve të shtetit të së drejtës. Në përmbyllje të fjalës së tij, ai u shpreh se ky moment nuk duhet parë si fundi i një procesi, por si fillimi i një përgjegjësie të re institucionale.
“Le ta shohim këtë moment jo si fundin e një rruge, por si fillimin e një përgjegjësie të re, sepse drejtësia nuk është një destinacion që arrihet një herë e përgjithmonë, por një përpjekje e vazhdueshme, një angazhim i përditshëm dhe një premtim solemn që institucionet u bëjnë qytetarëve të tyre”, përfundoi Çomo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



