Chris Brown dënohet për sulmin në klubin e natës në Londër në vitin 2023

Këngëtari amerikan Chris Brown pritet të dënohet për sulmin në një klub nate në Londër, të ndodhur në vitin 2023. Seanca gjyqësore po zhvillohet në Gjykatën e Kurorës në Southwark, ku Brown është paraqitur së bashku me bashkëpandehurin Omololu Akinlolu. Sipas raportimeve nga seanca, avokatja mbrojtëse e këngëtarit, Sallie Bennett-Jenkins, deklaroi se klienti i saj u kërkon ndjesë të gjithë personave që ndodheshin në klub në momentin e incidentit.
“Ky është një incident i shëmtuar dhe i pakëndshëm”, u shpreh avokatja, duke shtuar se ngjarja zgjati pak më shumë se 17 sekonda, por jo më shumë se 20 sekonda.
Ajo theksoi se incidenti mund t’u ketë shkaktuar shqetësim personave të pranishëm dhe se Brown u kërkon atyre “ndjesë të thellë”. Para nisjes së seancës, këngëtari dhe bashkëpandehuri i tij u fotografuan teksa mbërritën në gjykatë, ku prania e fansave dhe e përfaqësuesve të mediave tërhoqi vëmendjen në hyrje të godinës.
Gjatë seancës, Brown u ngrit për të komunikuar me ekipin e tij ligjor përmes xhamit ndarës dhe më pas u ul sërish, duke ulur kokën dhe mbyllur sytë. Më vonë, ai u pa duke biseduar me bashkëpandehurin Akinlolu.
Gjykata shpalli një pushim prej 10 minutash përpara se të vijonte me dhënien e vendimit për dy të pandehurit. Vendimi pritet të përcaktojë dënimin për ngjarjen e vitit 2023, për të cilën këngëtari amerikan përballet me drejtësinë britanike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




