“Ndëshkim kolektiv”/ Gati 2 mijë palestinezë dëbohen nga shtëpitë në Hebron, ushtria izraelite i kthen banesat në baza ushtarake

Gati 2 mijë palestinezë janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre në Hebron, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pasi ushtria izraelite mori nën kontroll banesa dhe i përdori disa prej tyre si baza ushtarake. Operacioni erdhi pas një sulmi me armë zjarri ndaj një pike kontrolli ushtarake izraelite, ku të premten u vranë dy ushtarë. (Foto: Një pikë kontrolli izraelite në zonën e rrafshuar të Farsh al-Hawa-s, një hyrje për në Hebron, ku të premten e kaluar dy persona të armatosur palestinezë vranë dy ushtarë izraelitë gjatë një sulmi me armë. Quique Kierszenbaum/The Guardian).
Ngjarjet kanë përfshirë qytetin më të madh të Bregut Perëndimor, me rreth 250 mijë banorë, në një kohë kur Izraeli po i afrohet zgjedhjeve. Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, vizituan zonën pas sulmit dhe paralajmëruan masa të ashpra hakmarrëse. Netanyahu deklaroi se priteshin operacione ushtarake në një shkallë që Bregu Perëndimor nuk e kishte përjetuar prej gati 60 vitesh pushtim.
Brenda pak orësh, qyteti u izolua, ndërsa lagjja Farsh al-Hawa, pranë vendit ku ndodhi sulmi, u shkatërrua rëndë. Deri të dielën në mëngjes, zona industriale ishte kthyer në rrënoja, duke lënë pas vetëm mbetjet e punishteve të automjeteve, një fabrike të madhe qeramike dhe bizneseve të tjera.
Ndërkohë, disa kilometra më larg, në lagjen Ein Deir Baha, ushtria nisi zbrazjen sistematike të banesave. Sipas pretendimeve izraelite, në këtë zonë jetonte të paktën njëri prej dy personave të përfshirë në sulmin e së premtes, të cilët u vranë në vendngjarje.
Familjet u detyruan të largoheshin brenda natës
Imami i xhamisë lokale, Fahed Ahmaro, tregoi se u zgjua rreth mesnatës nga altoparlantët e automjeteve ushtarake, përmes të cilëve banorëve u kërkohej të largoheshin menjëherë nga shtëpitë, gjoja për sigurinë e tyre.
Në banesën e tij jetonin 30 anëtarë të familjes. Ai nxitoi të dërgonte nënën e moshuar dhe disa nga nipërit e mbesat në shtëpinë e vajzës së tij, në një pjesë tjetër të Hebronit. Kur po kthehej për të marrë disa sende personale, një fqinj e telefonoi dhe e paralajmëroi të mos shkonte më në banesë.
“Ai më tha të mos kthehesha, sepse ushtria kishte hedhur në erë portat e shtëpisë. Nuk e di se çfarë i kanë bërë deri tani. Dëgjova se kishin shkatërruar mobiliet”, rrëfeu Ahmaro.
“Nuk e kupton çfarë ke derisa e humbet. Tani e kuptoj sa shkatërruese është të humbasësh shtëpinë”, shtoi ai.
Të dielën në mesditë, Ahmaro ndodhej në tregun e Hebronit, duke blerë rroba për nipërit dhe mbesat, pa e ditur se sa do të zgjaste largimi i familjes nga banesa.
Ai kishte dëgjuar se shtëpia e tij po përdorej si bazë nga ushtarët izraelitë. Nga larg, në banesën e vendosur në shpatin e një kodre të pjerrët, dalloheshin dritat e ndezura, por nuk shihej asnjë shenjë jete.
Sipas bashkisë së Hebronit, operacioni ushtarak në Ein Deir Baha kishte zhvendosur 370 familje, ose gati 2 mijë persona. Ushtria izraelite, nga ana tjetër, deklaroi se banorët ishin larguar vullnetarisht, duke pretenduar se “civilët që dëshironin të evakuoheshin u lejuan të largoheshin përkohësisht nga zona”.
Ahmaro e hodhi poshtë me zemërim këtë version. “Kurrë, kurrë, kurrë. Pse duhet të largohem nga shtëpia ime?”, u shpreh ai.
“Na dhanë vetëm 10 minuta për t’u larguar”
Një tjetër banor, 77-vjeçari Abdul Halim al-Tamimi, tregoi se kishte tentuar të qëndronte në shtëpinë e tij kur ushtarët mbërritën rreth orës 01:30 të mëngjesit. Familjes iu dhanë vetëm 10 minuta për t’u larguar.
“Një oficer i inteligjencës më tha se, nëse nuk largoheshim, do të na zhvendosnin në të njëjtën mënyrë siç kanë bërë në Gaza”, deklaroi ai.
Sipas rrëfimit të tij, familja refuzoi të largohej derisa ushtarët mbërritën me tri automjete ushtarake dhe i detyruan të dilnin nga banesa. Familja Tamimi u largua rreth orës 03:00 të së shtunës.
Të dielën në mëngjes, vila e tyre ishte mbuluar me flamuj të mëdhenj izraelitë dhe rrethohej nga automjete ushtarake. Ushtria e kishte kthyer banesën në një seli të operacionit.
Ushtria izraelite pretendoi se rreth 2 mijë banorë të zonës i përkisnin fisit Jaba’a, nga i cili dyshohet se vinin personat e armatosur, dhe se ky fis ishte “i lidhur me Hamasin”.
Ky pretendim u prit me habi dhe përqeshje nga banorët e Ein Deir Baha. Sipas tyre, fisi Jaba’a numëronte jo më shumë se 150 persona dhe nuk njihej për radikalizëm.
“Ne i përkasim një familjeje krejt tjetër. Jemi njerëz të pafajshëm. Nuk kemi asnjë lidhje me gjithë këtë”, tha Tamimi, duke shtuar se nuk e dinte për çfarë po përdorej shtëpia e tij, përveçse ndoshta për propagandë elektorale.
Hebroni i izoluar, kryebashkiaku akuzon Netanyahun
Deri të dielën në mbrëmje, të gjitha rrugët automobilistike që lidhnin qytetin me zonat përreth vijonin të ishin të mbyllura, me barriera të rënda çeliku. Lëvizja bëhej kryesisht në këmbë, ndërsa shoferët e taksive konkurronin për pasagjerë.
Wasam Sadi, drejtues i një kamioni shpërndarjeje, mbërriti në një pikë kontrolli me xhamin e përparmë të thyer dhe copa xhami në sy. Ai tha se ishte sulmuar nga kolonë izraelitë në një kryqëzim aty pranë.
Kryebashkiaku i Hebronit, Yousef al-Jabari, e cilësoi operacionin si një formë ndëshkimi kolektiv ndaj popullsisë palestineze.
“Është ndëshkim kolektiv”, deklaroi ai. Sipas kryebashkiakut, banorët janë nxjerrë me forcë nga shtëpitë, ndërsa mediave u është penguar hyrja në zonë për të mos lejuar raportimin e asaj që po ndodh.
“Netanyahu dhe banda e tij po përdorin tokën palestineze për të zhvendosur palestinezët, duke mbyllur qytetin dhe xhaminë, për të arritur qëllimet e tyre politike”, akuzoi al-Jabari.
Banorët palestinezë të Bregut Perëndimor të pushtuar nuk kanë të drejtë vote në zgjedhjet e së martës në Izrael, por rezultatet e tyre mund të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, në kushtet kur operacionet ushtarake, kufizimet e lëvizjes dhe zhvendosjet e popullsisë vijojnë të rëndojnë mbi komunitetet palestineze.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




