COVID-19, Austria nën izolim të plotë

Botë | 6 vite më parë

Austria ka vendosur masën e izolimit mbarëkombëtar në përpjekje për të vënë nën kontroll pandeminë e COVID-19. Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, u ka kërkuar austriakëve, që të mos takojnë askënd jashtë shtëpisë së tyre, në një përpjekje për të frenuar një rritje të shpejtë të rasteve me koronavirusin e ri.

Ai tha që shkollat do të mbyllen dhe studentët do të mësojnë nga shtëpia duke filluar nga dita e martë, kur masat e reja do të hyjnë në fuqi. Të premten, Austria raportoi një numër rekord prej 9,586 të infektuar me koronavirusin e ri.

Kjo shifër ishte nëntë herë më e lartë se në kulmin e valës fillestare më parë këtë vit. Vendi ka regjistruar më shumë se 191,000 raste, që nga fillimi i pandemisë dhe 1,661 vdekje të lidhura me COVID-19. Deri më 6 dhjetor, sa është paraparë të zgjasin masat e reja, të gjitha dyqanet jo-thelbësore do të duhet të qëndrojnë të mbyllura. Të gjithë qytetarëve u është thënë, që nëse ua lejojnë kushtet, të punojnë nga shtëpitë.

Ministri i Shëndetësisë i Austrisë, Rudolf Anschober, tha se ky është shansi i fundit për të ndaluar kolapsin e shërbimit shëndetësor. Austria kishte vendosur masën e izolimit të saj të parë mbarëkombëtar në mars, gjatë valës së parë të pandemisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme