Çuçi takim me Braverman: Amnistoni shqiptarët pa viza që punojnë ndershmërisht në Britani, gjuha ndaj tyre e papranueshme

Shqipëria i ka kërkuar Britanisë së Madhe që të amnistojnë shqiptarët pas viza që punojnë në mënyrë të ndershme në Britani. Kjo kërkesë u bë gjatë takimit në Londër që ministri i Brendshëm Bledi Çuçi zhvilloi me Sekretaren e Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila prej kohësh ka përdorur një gjuhë jo etike dhe raciste në etiketimin e komunitetit shqiptar në Britani.
Ministri Çuçi thekson se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve legale. Gjithashtu Çuçi vlerësoi shqiptarët në Britani si një komunitet vital dhe i integruar.
“Qasja jonë është se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve legale. Në këtë pikë i kërkova homologes Braverman të rishikojnë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. I kërkova gjithashtu të amnistojë çdo shqiptar pa vizë, por që punon në mënyrë të ndershme dhe nuk ka rekorde kriminale në ngarkim”, tha ministri Çuçi gjatë takimit me Braverman në Home Office.
Ministri Çuçi e ka vënë theksin edhe në lehtësimin në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale për shqiptarët që jetojnë në Britani, ndërsa shtoi se është e patolerueshme që komuniteti shqiptar të stereotipizohet vetëm nga disa personazhe të krimit.
“Me homologen britanike Suella Braverman diskutuam mbi bashkëpunimin dypalësh për të adresuar çështje komplekse si emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar, fenomene transnacionale që kurrsesi nuk mund të identifikohen me etni të caktuara. Ndava me homologen time shqetësimin se është e patolerueshme që komuniteti shqiptar të veçohet dhe stereotipizohet vetëm nga disa personazhe të botës ilegale”, tha Çuçi.
Ministri vlerësoi asistencën dhe ekspertizën britanike në ngritjen e kapaciteteve tona dhe në mbështetje të modernizimit të Institutit të Policisë Shkencore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




