“Dakord me sa u tha u sot…” Kryeministri Rama reagon pas deklaratave të Erion Veliaj

Politikë | 3 vite më parë

Përmes një postimi shterues në platformën X, kreu i qeverisë shpreh mbështetjen për deklaratat e kryebashkiakut Veliaj, teksa sqaron se ky rast tregon mbështetjen e socialistëve për SPAK.

“Është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeveris e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë; goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdoqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit,” shkruan z. Rama.

Me tej numri një i qeverisë shprehet se si pasojë e mendësisë së vjetër komuniste, baltosja ndaj qeverisë dhe përveshja me faj kolektiv vijon, megjithatë kjo nuk e pengon mazhorancën që ai drejton të ndryshojë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un.

“Kështu që edhe kjo çështja më e fundit e disa ish-zyrtarëve e zyrtarëve të bashkisë Tiranë, edhe qëndrimi i drejtë i Erionit sot, me të cilin bashkohem fjalë e presje, dëshmojnë edhe njëherë se ne as nuk e kontrollojmë SPAK-un, as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un, as nuk komentojmë çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut,” shtoi kryeministri.

Kryesocialisti tha se është i vendosur për të çuar më tej reformat, të cilat do ta çojnë vendin me pranë familjes europiane.

“Ne jemi në këtë detyrë për të bërë Shqipërinë Europiane 2030 me reforma të vërteta, përpjekje të mëdha, vendosmëri absolute dhe me të gjitha forcat e ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit, ku punët janë të ndara,” shkruan z. Rama.

Në fund, kryeministri dha mesazhin se drejtësia e re nuk duhet të kursejë askënd që shkel ligjin dhe se qeveria që ai drejton nuk ndalet pavarësisht retorikës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme