Dakordësia e PS-së me Rithemelimin, Alibeaj: Qëllimi, të mbajnë monopolin e sistemit politik

Politikë | 3 vite më parë

Arritja e pritshme e dakordësisë mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, shihet nga PD-ja zyrtare e Lulzim Bashës si vazhdim i pazareve të vjetra. Në një deklaratë për mediat, Enkelejd Alibeaj i cili mban edhe pozicionin e bashkëkryetarit të Reformës Zgjedhore tha se pakti i dakordësuar dëshmon se si Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ish-kryeministri Berisha nuk e duan Reformën Zgjedhore.

“Tashmë është e qartë se marrëveshja nuk ka qenë për të mbajtur në kontroll qeverinë dhe Edi Ramën, por ka qenë që së bashku me Edi Ramën të mbajnë monopolin e sistemit politik, marrëveshjen Rama-Berisha të vitit 2008, ai në pushtet dhe ata në një opozitë gjithmonë dhe më të paktë. Gjithashtu, të godasë SPAK-un, nëpërmjet kontrollit të sistemit të drejtësisë. Ashtu siç e kishim paralajmëruar, kjo marrëveshje e sotme, më së pari, ka si qëllim të godasë Reformën Zgjedhore, sepse as Edi Rama as Sali Berisha nuk duan një sistem që t’ua heq atyre monopolin e listave dhe t’ua japë qytetarëve të drejtën e zgjedhjes”, tha Alibeaj.

Sipas tij, aktorët politikë të marrëveshjes nuk duan lista të hapura si edhe as votën e emigrantëve.

“Asnjë prej aktorëve të politikës së vjetër nuk e duan Shqipërinë një Zonë Zgjedhore, sepse vetëm duke e fragmentarizuar e kontrollojnë dhe e manipulojnë më lehtë. Asnjë prej tyre nuk e do barazinë e votës së çdo shqiptari, sepse e kanë ndarë Shqipërinë në domenë, ku secili e quan pronë të tijën pjesë të caktuara të saj. Asnjë prej politikanëve që duhet t’i përkisnin së shkuarës, nuk e duan heqjen e hersit zgjedhor, sepse e gjithë lufta këto kohë është bërë me premtimin për të qenë në vende të sigurta në listat e vitit të ardhshëm”, theksoi Alibeaj.

Mazhoranca dhe grupi i Rithemelimit gjetën dakordësinë parimisht lidhur me kthimin në normalitet të jetës parlamentare dhe ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, ajo për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS si dhe komisioni hetimor për koncesionet e dhëna në Shëndetësi.

Pas diskutimit në Konferencën e Kryetarëve u arrit që Gazmend Bardhi nga opozita dhe Klodilda Bushka nga mazhoranca të punojnë së bashku për anëtarësinë e komisioneve hetimore. Të mërkurën 13 mars, do të zhvillohet sërish një seancë për të vendosur për anëtarët e Komisioneve hetimore që pritet të ngrihen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme