Darka në Athinë/ Liderët deklaratë të përbashkët: Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE

Udhëheqësit e vendeve kandidate dhe aspiruese për në Bashkimin Europian, konfirmuan të hënën në Athinë mbështetjen e palëkundur për integritetin territorial të Ukrainës dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Takimi u thirr nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për të shënuar 20-vjetorin e Samitit të ngjashëm të Selanikut.
Shqipëria nuk mundi të përfaqësohej nga presidenti Bajram Begaj, për shkak të “axhendës së përcaktuar më parë” nga kreu i shtetit shqiptar.
Para darkës informale në selinë e qeverisë greke, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha:
“Zgjerimi mbetet prioritar për BE-në, si një mjet që përhap paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin tonë,” shkroi presidenti Michel në rrjetin social X.
“Ne do vazhdojmë të ulim barrierat mes rajoneve tona,” shtoi edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Më poshtë lexoni deklaratën e plotë.
Deklarata e Samitit të Athinës
Ne, Presidenti Aleksandar Vucic, Presidenti Maia Sandu, Presidenti Volodymyr Zelenskyy, Presidenti Jakov Milatovi, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri Ion-Marcel Ciolacu, Kryeministri Albin Kurti, Kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo, Kryeministri Dimitar Kovachevski, Kryeministri Nikolai Denkov, dhe Kryeministri Andrej Plenkovi, në prani të Presidentit të Këshillit Evropian dhe Presidentit të Komisionit Evropian, u takua sot në Athinë, njëzet vjet pas Samitit historik BE–Ballkani Perëndimor në Selanik, dhe lëshuam deklaratën e mëposhtme:
- Pushtimi rus i Ukrainës është një moment i rëndësishëm për Europën, që ka krijuar një nivel të ri ndërgjegjësimi për parimet e përbashkëta, unitetin dhe të ardhmen e përbashkët brenda BE-së. Kjo është një kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kontinentit tonë europian. Janë shkelur ligjet dhe parimet që sollën një rend të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë evropiane për kaq shumë kohë dhe ne po shohim përsëri të shfaqen efektet katastrofike të revizionizmit.
- Përballë agresionit rus, ne shprehim mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
- Në diskutimet e sotme në Athinë, ne shprehëm mbështetje dhe vlerësim për përpjekjet e sinqerta të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në përcaktimin e parimeve për paqen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, në Formulën e tij të Paqes. Ne gjithashtu mirëpritëm përpjekjet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të promovuar paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
- Ne u pajtuam që nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, siç janë sulmet kundër civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari.
- Njëzet vjet më parë, Samiti i Selanikut pranoi se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Europian. Ne besojmë me vendosmëri se sot kjo deklaratë mbetet më e rëndësishme se kurrë. Lufta e përshkallëzuar nga agresioni kundër Ukrainës zbuloi nevojën urgjente për një BE të fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse si një gur themeli i paqes dhe i prosperitetit midis popujve tanë gjatë këtyre kohëve të vështira.
- Theksuam se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Republika e Moldavisë, gjeografikisht afër me shtetet anëtare të BE-së, kanë një trashëgimi, histori dhe një të ardhme të përbashkët europiane të përcaktuar nga mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. Duke qenë një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Europë, është e rëndësishme që këto rajone të përqafohen si anëtare të plota të familjes europiane.
- Sot në Athinë diskutuam për ato që na presin, në mënyrë që ky vizion i Europës të bëhet realitet. Ne nënvizuam rëndësinë për t’i vendosur vetes një objektiv për përfundimin e vizionit të një BE-je ku përfshihet Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Republika e Moldavisë. Ne nënvizuam nevojën për një proces zgjerimi të rienergjizuar dhe të ripërqendruar, i cili është aktual dhe i besueshëm, pa devijuar nga kushtet e përcaktuara. Ne shprehëm angazhimin tonë për të mbështetur Ukrainën dhe Moldavinë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm në procesin e pranimit sapo të kenë përfunduar reformat e nevojshme.
- Ne besojmë fort se 20 vjet pas Samitit të Selanikut dhe në kuadër të realitetit të ri gjeopolitik, ka ardhur koha për të pasur një qëllim përfundimtar të guximshëm dhe ambicioz, të cilin do ta marrim si udhërrëfim, frymëzim dhe kontekst.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




