DASH: Kosova e Serbia të krijojnë klimë për pajtim, marrëveshjet të zbatohen pa vonesa

Rajon | 4 vite më parë

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur zhbllokimin e veriut të Kosovës nga barrikadat dhe rikthimin në funksion të pikave kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, kështu ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit i pyetur për pritjet e Washingtonit për procesin e dialogut tashmë që situata është qetesuar. Në një intervistë për gazetën Express ai theksoi se amerikanët tashmë presin që Kosova dhe Serbia t’i kthehen përpjekjeve për të nxitur krijimin e një mjedisi të favorshëm për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi.

“Ne mirëpresim lajmet për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe rihapjen e pikave kryesore kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, zëdhënësi i DASH.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit në përgjigjen e dhënë kanë treguar edhe pritjen e tyre sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit nga palët, e ku një ndër to është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Amerikanët kërkojnë që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut duhet të implementohen plotësisht dhe pa vonesa. “Të gjitha detyrimet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë.”tha zëdhënësi i DASH.

Për të çuar palët drejt rinisjes së dialogut, në Prishtinë dhe Beograd gjatë këtij muaji pritet që të zbarkojnë këshilltarët kryesorë të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Edhe një nga njerëzit më të afërt të Sekretarit Amerikan, Derek Chollet ka paralajmëruar se gjatë pjesës së parë të këtij viti do të vizitojë Kosovën.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme