Debate/ Zhupa: Rrëzoni vendimin e Byrosë, të ngrihet Komision Hetimor për McGonigal! Balla: Rama më 2 mars, në Kuvend

Politikë | 4 vite më parë

Seanca plenare e kësaj të enjte ka nisur me debate dhe diskutime mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës, ndërkohë që jashtë godinës së Parlamentit, opozita vijon protestën për atë që e cilëson si revolucion demokratik. Teksa deputetja demokrate Ina Zhupa ka kërkuar rrëzimin e Byrosë së Kuvendit për përjashtimin e depuutetëve opozitarë dhe lejimin e tyre në punimet e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh se kjo gjë do të ndodhë në momentin që zëri opozitar i qytetarëve në Kuvend do mësojë të respektojë rregulloren, dhe të mos bëjnë zhurmuesin.

“Propozim im konkret është se duke qenë se është shkelur rregullorja, ata deputetë duhet të jenë brenda sallës sepse përjashtime e paligjshme nuk janë vendime që duhen zbatuar. Ne kërkojmë të drejtat që na jep kushtetuta dhe rregullorja. T’i kthehemi normalitetit. Të vijë këtu kryeministri Rama, të ngrihet një komision hetimor, që deputetët e përjashtuar të jenë në sallë dhe ne ju garantojmë se normalitet do keni. Ju shkelni çdo ligj, rregullore e Kushtetutë.  Kam një dakordësi, me një ministre të kabinetit tuaj qeveritar e cila ka thënë se Rama është brand, po është brand ndërkombëtar i korrupsionit”, tha Zhupa.

Pas kërkesës së deputetes demokrate për ngritjen e Komisionit Hetimor lidhur me çështjen McGonigal, Balla nuk i konsideron tjetër, veçse përpjekje të opozitës për të intimiduar drejtësinë.

Më tej, kreu i grupit parlamentar socialist theksoi se mocioni me debat për McGonigal do të zhvillohet më 2 mars me praninë edhe të Kryeministrit Edi Rama, i cili do të përgjigjet për të gjitha dyshimet dhe akuzat e opozitës.

“Lidhur me mocionin me debat, është vendosur data 2. Më duket qasharake që ju të mos pranoni datën 2 por të spostoni sot duke e ditur shumë mirë që kryeministri ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni. Këtë e kemi thënë në seancën e shkuar. Në pamundësi për t’u zhvilluar më 23, debati do të zhvillohet me datën 2 sipas të gjitha kërkesave përfshirë dhe kohën e zhvillimit të debatit. Cdo deputet mund të marrë fjalën jo më shumë se 10 minuta. Ky do të jetë debati më i gjatë i zhvilluar në historinë e Kuvendit të Shqipërisë”, tha Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme