Deborah Keçi bën premtimin e madh në “Zona 30”: Tirana, sërish

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Mori drejtimin e klubit shumësportësh Tirana para tre vitesh, tani flet me gjuhën e titujve. Bëhet fjalë për Deborah Keçin, një ish-sportiste, e cila ka zbuluar gjithçka në një intervistë për emisionin “Zona 30” në RTSH.

Deborah, prej disa vitesh drejton klubin shumësportësh Tirana, një inisiativë e marrë përsipër nga ana juaj, sa e vështirë ishte për ta ringritur në të tilla nivele?

“Ishte një inisiativë që mu besua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Për mua ishte nder dhe privilegj, por dhe një sfidë shumë e madhe, sepse duke qenë e para vajzë ndoshta që drejton klubin më të madh sportiv në Shqipëri, ishte një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Të marësh përsipër një detyrë të tillë, sigurisht që kisha ato pasiguritë e mia në fillim. Por besoj se në këto tre vite që kam qenë në krye të Tiranës besoj që është bërë një punë e jashtëzakonshme, kjo jo vetëm për meritën time, por ka qenë një punë grupi nga një staf i jashtëzakonshëm njerëzish. Sigurisht që kemi patur dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të Bashkisë së Tiranës, e sponsorave të klubit, stafit”.

A është e vështirë të punosh me meshkujt?

“Jo, për mua është shumë më e thjeshtë të punoj me ekipet e djemëve se sa me ekipet e vajzave. Jo më kot me djemtë në basketboll dhe volejboll kemi arritur të shpallemi kampionë, ndërsa me ekipet e vajzave nuk po arrijmë akoma”.

Pse ky ngërç?

“Nuk e di, ndoshta  sepse vajzat kanë karakter pak më të vështirë. Djemëve u flet dhe e kuptojnë se çfarë u thua, ndërsa vajzave edhe u ngel hatri, ndonjëherë duhet tu gjeshë mënyrën për të mos i mërzitur. Mund të ndodhë që u flet për ti motivuar, por mund të ketë impakt të kundërt. Ndërkohë, djemtë janë më të thjeshtë në komunikim. Sigurisht që do të kërkojmë mbrojtjen e titullit në basketboll dhe volejbollin e meshkujve, por dëshira ime është që të rikthejmë titullin në volejbollin e femrave që mungon që nga viti 2013 dhe në basketboll që mungon prej më shumë se 10 vitesh”.

Ndalemi pak te kryefjala e ditës, te CEV Challenge Cup ku duhet të merte pjesë Tirana dhe është aktualisht pasi kaloi në raundin e dytë, te ajo përballje, ai kalvar shtyrjesh me Maccabi Tel Aviv për shkak të luftës. CEV vendosi që fitoren ta merte Tirana, por që më pas solli dhe akuza nga klubi izraelit për mosbashkëpunim. Si qëndron e vërteta?

“Në fakt, kur kam lexuar atë artikullin, hapa sytë dhe ngela. Tirana, që në fillim të procesit, kur u vendos për të marrë pjesë në Kupat e Evropës, për klube të vogla si ne, sepse jemi klube të vogla dhe është një sakrificë shumë e madhe. Proçedurat në të tilla raste kërkojnë një kohë specifike, ndërsa ka afate të mirëpërcaktuara. Ndeshja e parë ishte caktuar të luhej në datë 24 tetor në Tel Aviv dhe ne i kishim marrë të gjitha masat për të luajtur atje dhe një javë më vonë, në 1 nëntor, i prisnim në Tiranë. Për shkak të luftës atje, kur ishin pezulluar të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të tyre, nuk kishte mundësi udhëtimi dhe CEV u fut në lojë për të gjetur një zgjidhje”.

Sepse ishin nënkampionë?

“Sigurisht, deri në fund ata kanë bërë përpjekje për tu dhënë mundësinë për të luajtur, ndoshta dhe për të hequr barrën nga vetja e tyre si federatë. Për mendimin tim ishte jashtë çdo afati kohor të përcaktuar”.

Pse ajo gjuhë urrejtje më pas?

“Ne ofruam që të dyja ndeshjet të luheshin në Tiranë, por më pas ata kërkuan shtyrjen e ndeshjes. Ne nuk është se ishim shumë dakord për shtyrjen e ndeshjes, sepse kemi dhe impenjimet e tjera. Më pas filluan dhe, ‘nëse nuk doni të vini, edhe në nuk vijmë në Tiranë sepse nuk jemi të sigurt’, ndërkohë që Tirana është shpallur qyteti europian i sportit dhe ka pritur më shumë se 100 aktivitete ndërkombëtare . CEV vendosi që ndeshja të luhej në një vend neutral, u vendos për në Qipro ku përsëri për ne nuk ishte e lehtë për ti bërë gjërat sot për nesër. Qipro nuk e mori përsipër dhe atëherë u vendos në Strumica. Izraelitët kërkonin një sërë masash sigurie dhe ndoshta edhe federate e Maqedonisë së Veriut nuk i ka marrë përsipër. Në fund, një ditë apo dy ditë para ndeshjes ata deklaruan se do të tërhiqeshin nga gara, që unë mendoj që një vendim të tillë duhet ta kishin marrë më përpara”.

Cili ishte përfitimi ekonomik që Tirana mori për kalimin në raundin e dytë?

“Asgjë, nuk është si futbolli. Vetëm Champions League e ka që përfiton. Arsyeja që marrim pjesë në Kupat e Evropës është për ti dhënë një motivim sportistëve”.

Flasim pak për basketbollin, vitin e kaluar te meshkujt u shpallët kampionë, por këtë vit duket se nuk jeni shumë kompetitivë?

“Edhe vitin e kaluar Tirana ishte nga ato ekipe që në letër askush nuk e shikonte kampione. Kemi patur një fillim të ngadaltë në kampionat. Në fund, në finale, atëherë kur u mendua që çdo gjë kishte marrë fund, kur rezultati ishte 2-0 për ekipin e Besëlidhjes, një ekip me shumë të huaj, ndërsa këtë vit është vendosur një limit, kemi bërë një nga fitoret më të bukura duke e kthyer rezultatin në 3-2. Mendoj se Tirana është një ekip me zemër, përveç cilësive të lojtarëve, ka zemër, ka tifozërinë. Kampionati është i gjatë, jemi këtu për të mbrojtur titullin”.

Le të flasim për sportet individuale, Luiza Gega, Izmir Smajlaj, në shtangë… ku po punoni më shumë për të ardhmen?

“Jo vetëm Gega e Smajlaj, por dhe sportistë të tjera të mirë i kemi marrë. Tirana ka fuqinë, është klubi më i madh shumësportësh, ka buxhetet më të mëdhaja, insfrastruktura që ka është më e mirë se në rrethe. Këta sportistë përfaqësojnë Tiranën në garat kombëtare, por duhet thënë që përfaqësojnë edhe Shqipërinë në evenimentet më të rëndësishme. Mund të them që ekipi kombëtar olimpik është gjithë pjesë e Tiranës. Ndërsa jemi para Paris 2024, secili nga sportistët duke filluar nga boksi, me Alban Beqirin, me Luizën, Izmirin, Erkandin, me xhudon, mundjen, të gjithë këta e kanë sfidën me veten e tyre dhe po përgatiten për të arritur rezultate, për të kapur kualifikimin për në Paris 2024. Puna më e madhe për mua si drejtuese mendoj se është ajo me moshat, për të nxjerrë talente të reja. Pra kjo është sfida më e madhe, për të prodhuar talente, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë klubet e tjera në Shqipëri”.

Përse Tirana nuk e ka në ngarkim “Feti Borovën”, “Asllan Rusin” dhe kur do e kemi një pistë atletike të mbyllur?

“’Feti Borova’ që kur është krijuar, që në fillime, është krijuar për ekipet kombëtare. Sigurisht, ne e kemi sallën tonë që është ‘Farie Hoti’. Qëllimi dhe dëshira ime është që me rehabilitimin e ‘Asllan Rusit’, një projekt që është premtuar nga kryetari i Bashkisë, mendoj se do jetë një nga investimet më të domosdoshme të sportit, të lojërave me dorë në Shqipëri. Duke kaluar ekipet e para të Tiranës atje, ‘Farie Hoti’ të jetë për ekipet zinxhir, sepse momentalisht ekipet e moshave stërviten në palestra të ndryshme. Për pistën e mbyllur të atletikës nuk di të them, nuk ka një projekt. Sigurisht që duhet, ashtu siç duhet një pishinë e mbyllur për notin”.

 

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme