Deklaratat e Ramës në samitin e “Ballkanit të Hapur”, Floriana Garo: Talli gjenocidin ndaj vëllezërve tanë në Kosovë

Komisioni i Rithemelimit ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka tallur gjenocidin ndaj boshnjakëve, kroatëve, malazezëve e shqiptarëve të Kosovës me deklaratat e tij gjatë samitit të “Ballkanit të Hapur” që u zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut”.
Me një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo tha se Rama dëshmoi mungesë respekti “jashtë çdo imagjinate” ndaj të shkuarës tragjike të Ballkanit.
“Partia Demokratike dënon me termat më të ashpër deklaratat e Kryeministrit Edi Rama të realizuara gjatë konferencës të zhvilluar sot në Ohër si pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur”. Duke mos njohur dhe banalizuar me tallje e nënqeshje, gjenocidin dhe masakrat ndaj qindra e mijëra boshnjakëve, kroatëve, malazezëve e vëllezërve tanë në Kosovë, viktima të spastrimit etnik serb, Edi Rama dëshmon një mungesë respekti jashtë çdo imagjinate ndaj të shkuarës tragjike të Ballkanit. Mohimi i genocidit dënohet me ligj ndërkombëtar. Edi Rama, me këto deklarata imorale i bashkohet dyshes Vuçiç-Dodik dhe bëhet pjesë me dashje, të asaj çka është një tentative rishkruarje të historisë me qëllimin e vetëm për të lehtësuar pozicionin e Serbisë në kontekstin e projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur”, tha Garo.
Garo akuzoi kryeministrin Rama se “po i shërben në mënyrë të verbër një projekti serbo-rus, anti-shqiptar”.
“Refuzimi i dyfishtë i Edi Ramës për të votuar në Parlamentin Shqiptar dy rezoluta që dënojnë gjenocidin në Bosnje dhe atë në Kosovë, është prova e dy-fishtë se Edi Rama po i shërben në mënyrë të verbër një projekti serbo-rus, anti-shqiptar. Deklarata e Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov sipas së cilës, “Ballkani i Hapur” është një projekt që gëzon mbështetjen e plotë të Rusisë, duhet të jetë një këmbanë alarmi për çdo shqiptar dhe Ballkanas mbi rreziqet dhe agjendën e vërtetë të kësaj nisme. I njëjti rrezik vjen dhe nga pjesëmarrja e pajustifikuar dhe rolin e errët në këtë Samit të djalit të George Soros. Partia Demokratike e Shqipërisë refuzon në mënyrë kategorike çdo projekt që kërkon të zëvendësojë Nismën e Berlinit dhe integrimin Europian me projekte që rivendosin hegjemoninë ruso-serbe në Ballkan. Çdo vendim-marrje e Edi Ramës që cenon Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe NATO-s, është një vendimmarrje anti-shqiptare. Në këtë drejtim, vijimi normal i procesit të Berlinit dhe të integrimit Europian për çdo vend të Ballkanit konsiderohet si e vetmja rrugë drejt një të ardhme të paqtë në Ballkan”, u shpreh Garo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




