Dëmet në Nord Stream 1 dhe 2/ Këshilli i Sigurimit të OKB-së rrëzon kërkesën e Rusisë

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka refuzuar kërkesën e Rusisë për hetimin e shpërthimeve në tubacionet që lëvizin gazin natyror nga Rusia në Evropë nën Detin Baltik.
Ndonëse Rusia, Kina dhe Brazili votuan në favor të kërkesës ruse, anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit abstenuan ose thanë se një hetim tjetër ishte i panevojshëm. Dhe që një rezolutë të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duhet të sigurojë një minimum prej 9 votash “pro” në dhe asnjë veto nga një prej anëtarëve të përhershëm, sikurse janë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania dhe Franca.
Zëvendësambasadori i SHBA-së, Robert Wood , tha se nuk kishte nevojë për një hetim të OKB-së kur hetimet nga Suedia, Danimarka dhe Gjermania “po vazhdojnë në një mënyrë gjithëpërfshirëse, transparente dhe të paanshme”.
“Ishte një përpjekje për të diskredituar punën e hetimeve kombëtare në vazhdim dhe për të paragjykuar çdo përfundim që ata arritën që nuk përputhen me narrativën e paracaktuar dhe politike të Rusisë. Nuk ishte një përpjekje për të kërkuar të vërtetën”, tha ai, raporton The Guardian.
Tubacionet, të njohura si Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, janë në pronësi të shumicës nga gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom.
Nord Stream 1 transportonte gaz rus në Gjermani derisa Moska ndërpreu furnizimet në fund të gushtit 2022. Nord Stream 2 nuk hyri kurrë në shërbim pasi Gjermania pezulloi procesin e saj të certifikimit pak përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt 2022. Shpërthimet në të dyja ndodhën në shtator 26.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




