Dënimi i Belerit me 2 vite burg, Ministria e Jashtme greke: Do monitorojmë çështjen, presim vendim të drejtë në apel

Politikë | 3 vite më parë

Ministria e Jashtme greke ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së që dënoi me dy vite burg Fredi Belerin, i shpallur fajtor për “Korrupsion në Zgjedhje”, duke akuzuar për një proces gjyqësor jo objektiv.

“Vendimi i sotëm i një gjykate shqiptare ndaj kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, intensifikon shqetësimet e shprehura në lidhje me objektivitetin e procesit. Dënimi përfundimtar është dukshëm joproporcional në raport me masën e veprës së pretenduar. Dhe masa e dënimit e pengon kryebashkiakun e zgjedhur që edhe sot të marrë detyrën dhe e mban kandidatin e mundur në krye të bashkisë, pavarësisht vendimit të shprehur të gjykatës muaj më parë që vendosi shkarkimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në reagim.

Sipas Ministrisë së Jashtme greke, ka një zbatim “selektiv” të vendimeve gjyqësore, teksa thekson se do të monitorojë nga afër çështjen.

“Zbatimi selektiv i vendimeve gjyqësore nuk janë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Qeveria greke do të monitorojë nga afër çështjen dhe pret një gjykim të drejtë dhe objektiv në nivelin e dytë të juridiksionit”, përfundon reagimi.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka dënuar me 2 vite burg Fredi Belerin, për akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Prokurorët e SPAK kërkuan 2 vite e 6 muaj burg për Belerin për “Korrupsion në Zgjedhje”, por GJKKO vendosi ta dënojë atë vetëm me 2 vite.

Gjykata vendosi të dënojë me 1 vit e 6 muaj burg te pandehurin tjetër Pandeli Kokaveshi, bashkëpunëtorin e tij për blerjen e votave. Dënimi i tij është konvertuar në 3 vite shërbim prove.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme