Denoncimet e hershme për guroren/ Policia: Ia kemi dërguar prokurorisë për t’i hetuar

Policia e Krujës ka bërë të ditur se ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe konform ligjit sa i përket rastit të konfliktit midis fisit Rraja dhe Maja në Fushë-Krujë, që kulmoi me dhunën e ushtruar ndaj dy personave të fisit Maja.
Duke iu referuar denoncimeve të mëhershme të fisit Maja që ankohej se shpërthimet në gurore po u dëmtonin shtëpitë, policia shpjegon se kallëzimet e marra në këtë rast apo edhe në çdo rast tjetër janë trajtuar dhe dërguar në Prokuror për kryerjen e hetimeve të thelluara.
“Theksojmë se Policia e Krujës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë rast, me paanshmëri dhe konform ligjit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës. Kallëzimi i marrë për këtë rast, si dhe çdo indicie tjetër, janë trajtuar në zbatim të procedurave standarde të punës dhe çdo material procedural i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e hetimeve të thelluara”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndëkaq policia ka theksuar se është kryer e gjithë ekspertiza për banesat e dëmtuara në Borizanë të Krujës si pasojë e shpërthimeve në gurore.
Ditën e diel, policia bëri të ditur se është bllokuar aktiviteti i gurores që administrohej nga fisi i Rrajave në Fushë-Krujë, pas dhunës së ushtruar ndaj fisit Maja.
Kjo ngjarje u shoqërua edhe me lëvizje në radhët e deputetëve dhe kabinetin e kryeministrit Rama, ku deputeti Rrahman Rraja dha dorëheqjen nga mandati i deputetit.
Pas dorëheqjes së Rrajas, kryeministri Edi Rama shkarkoi ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, duke emëruar në vend të tij Taulant Ballën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




