Deputeti i PD, Këlliçi: Takim mbresëlënës me kongresmenin republikan të Michigan, Rep Tim Walberg

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, bëri të ditur nëpërmjet një postimi në FB se, gjatë një vizite në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Kongresit amerikan, ka zhvilluar një takim me kongresmenin republikan të Michigan, Rep Tim Walberg.
Sipas Këlliçit, kongresmeni republikan vlerësoi raportet me Partinë Demokratike, si një forcë politike aleate dhe e besueshme në trajtimin e këtyre problematikave dhe si një partner i besueshëm i shtetit amerikan.
“Një takim mbresëlënës me kongresmenin republikan të Michigan, Rep Tim Walberg dhe vizitë në sallën e mbledhjeve të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Kongresit amerikan. Me kongresmenin Walberg, për më shumë se 1 orë, ndamë shqetësimet për zhvillimet në Evropë, Ballkan, dhe për gjendjen jo të mirë të demokracisë dhe shtetit të së srejtës në Shqipëri. Kënaqësi të dëgjosh nga afër këshillat e një njohësi kaq të mirë të rajonit tonë si Walberg, 7 herë Anëtar i Kongresit për përfaqësimin e Michiganit. Qëndrimi i Shqipërisë si vend anëtar i NATO, një arritje e madhe kjo gjatë qeverisjes së PD, krah aleatëve në sfidat e pushtimit të Ukrainës apo kërcënimeve të tjera, si sulmet kibernetike nga Irani, janë një moment për t’u vlerësuar. Por nuk ka rrezik më të madh për sigurinë dhe partneritetin me NATO dhe SHBA se sa korrupsioni qeveritar dhe drejtësia e kontrolluar. Në këtë kuadër, pata dakordësinë e Walberg se këto çështje duhen adresuar sa më shpejt dhe me energji. Kongresmeni republikan vlerësoi raportet me Partinë Demokratike, si një forcë politike aleate dhe e besueshme në trajtimin e këtyre problematikave dhe si një partner i besueshëm i shtetit Amerikan. Edhe nga Walberg mora garanci se ai do ta rrisë monitorimin ndaj zhvillimeve në vendin tonë dhe se vetëm qëndrimet objektive e të bazuara mbi faktet reale, të partnerëve dhe institucioneve, janë ndihmë për të dalë nga kriza që po përjetojnë shqiptarët prej keqqeverisjes dhe korrupsionit madhor. Fenomenet e abuzimit, kapjes së shtetit dhe të drejtësisë nga qeveria në Shqipëri, meritojnë të trajtohen pa kompromis dhe me objektivitet. U largova nga takimi me Walberg i befasuar nga njohjet e tij për rajonin e vendin tonë, dhe i prekur nga dashuria e tij për Shqipërinë, e dëshira që ne të ecim sa më shpejt drejt anëtarësimit në BE dhe drejt konsolidimit të demokracisë.”,- shkruan Këlliçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




