Deputeti i PS, Bardhyl Kollçaku në SPAK: Sekret hetimor

Aktualitet | 4 vite më parë

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputet i PS-së, Bardhyl Kollçaku u paraqit në SPAK këtë të enjte (9 mars), ku për tri orë u mor në pyetje për çështje e pronave të ushtrisë.

Ndonëse SPAK nuk dha detaje për marrje në pyetje nga prokurorët, burime nga organi i akuzës thanë, se ai u pyet për kallëzimin e bërë në mars të 2021 nga Artur Meçollari, ish-zëvendës shefi i forcave detare i cili në mars të 2021 kallëzoi në SPAK të gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë edhe ish-ministren e Mbrojtjes aso kohe, Olta Xhaçka dhe Presidentin aktual të Republikës, Bajram Begaj përpos Kollçakut, për abuzimet, sipas tij, me pronat e ushtrisë.

Por, pas tri orë qëndrimi në SPAK, Kollçaku nuk dha detaje se për çfarë u pyet.

Burime nga SPAK thanë gjithashtu, se thirrje nga Prokuroria ka marrë dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në cilësinë e pozicionit që ka pasur.

Meçollari ka artikuluar publikisht akuza edhe për ish shefin e Shtabit, sot Presidenti Bajram Begaj, por nuk dihet nëse SPAK do ta thërrasë kreun e shtetit si person në dijeni për të dhënë shpjegime.

Denoncimi nga Meçollari u bë për dy prona, një në Shëngjin dhe një në Sarandë, të cilat, sipas tij, i janë dhënë privatit jashtë kritereve ligjore.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme