Dështon zyrtarisht raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri, pozita dhe opozita ende pa kandidatë

Politikë | 4 vite më parë

Mazhoranca dhe opozita ende nuk kanë propozuar asnjë emër si kandidat për postin e Presidentit, duke “djegur” edhe raundin e dytë për zgjedhjen e Presidentit.

Mbledhja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve ka zgjatur vetëm pak, pasi nuk ka pasur asnjë kandidaturë. Po në këtë mënyrë është mbyllur dhe seanca në Kuvend për kreun e shtetit. Opozita nuk propozoi asnjë emër. Ajo akuzoi PS për prishje të marrëveshjes.

Disa ditë më parë, në takimin mes kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe atij të PD, Enkelejd Alibeaj, u duk sikur u arrit një dakordësi. Në konferencën e kryetarëve ju la e drejta opozitës që në raundin e dytë dhe të tretë të propozojë emrat për kandidatin për president.

Kryeministri Rama ka reaguar pas dështimit të seancës për presidentin e ri.

“Duhen 2 për tango. Nuk mund të bëjmë tango vetëm. S’kemi partner. Merren me profilin, nuk merren me zgjidhjen. Zgjidhja është një njeri që duhet të përmbush detyrimet që ne kemi karshi shqiptarëve, për ta çliruar atë zyrë nga kthetrat e së shkuarës. Nuk e kemi vendosur, se po ta kishim bërë do e kishim shpallur dhe do prisnim për ta votuar. Kemi dëgjuar të gjithë lloj lloj çudishë. Politika është dialog. Kur kemi qenë opozitë, kemi pasur 2 zgjedhje, një kur nuk kishim vota, por të mjaftueshme për t’u ulur në tryezë, dhe një tjetër kur sistemi ka qenë si sot dhe ne u ulëm, diskutuam dhe nuk ranë dakord. Ata votuan kë deshën. Ne nuk humbëm në atë process. Opozita nuk është për të imponuar. Do presim edhe raundin e tretë dhe pastaj do mblidhet kryesia e PS, grupi parlamentar dhe pastaj do e sjellim në Kuvend kandidaturën”, tha Rama.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se nuk kanë propozuar një emër për president, pasi, sipas tij, mazhoranca nuk ka respektuat dakordësinë e arritur.

“S’ka nevojë për 2 për tango. S’duhet të jetë një president për tango nga të 2, duhet një president mbi palët, president i shqiptarëve. Ne propozojmë, këta përzgjedhin, jo si lojë tango, por që ai/ajo, ç’rëndësi ka, të marrë mbështetjen e politikës, që nesër të mos e konsiderojnë veten të njërës palë. Mënyra më e mirë është një proces i përbashkët, dhe hapi i fundit është që pasi të identifikohet një president i gjithë pranuar mbi palët, secila palë duhet ta bashkëpropozojë jo si lojë shahu. Kjo është formula. Nuk mund të bëhet eksperiment me presidentin e Republikës. Në mënyrën më serioze, ne besuam që fillimisht procesi, rregullat, pastaj emrat. Nuk kemi çfarë t’i bëjmë njerëzve që i hanë fjalët. Mjeti ynë i vetëm është që të qëndrojmë te parimet”, tha Alibeaj.

Sipas Kushtetutës, kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Për zgjedhjen e kreut të shtetit, Kuvendi zhvillon deri në pesë raunde. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme