Dhunoi 3-vjeçaren, lihet në burg edukatorja. Policia nis kontrollet në kopshtet e tjera

Edukatorja e kopshtit e cila dhunoi 3-vjeçaren është lënë në burg nga gjykata e Tiranës. 48-vjeçarja Majlinda Dehima akuzohet për veprën penale “keqtrajtimi i të miturit” pasi dyshohet se ka dhunuar vajzën e vogël 3-vjeçare, në kopshtin privat ku punonte si edukatore.
“Në vazhdim të veprimeve të thelluara hetimore në lidhje me rastin e keqtrajtimit të një 3-vjeçareje në një kopsht privat, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për masën e sigurisë “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasen Majlinda Dehima, 48 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.
Kjo shtetase dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në një kopësht privat, ku punonte si edukatore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga ana tjetër, Policia bën të ditur se me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në çerdhe, kopshte e shkolla private, “Policia e Shtetit ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat”.
“Policia e Shtetit fton prindërit, mediat e qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit e keqtrajtimit të fëmijëve në kopshte, çerdhe e shkolla, duke ju garantuar për reagim të shpejtë e profesional”, përfundon në njoftimin e saj policia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




