Dinamo dorëzon kreun, e mund Tomori

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka vijuar të dielën javën e tij të 17-të, me takimin e parafundit, që është luajtur pasdreke, teksa takimi i fundit luhet të hënën. Kështu, në ora 13:00 u luajt në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet përballja midis Dinamos dhe Tomorit, që erdhi për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Beratasit ia kanë vështirësuar detyrën vetes, pasi Solomon merr dy kartona të verdhë brenda 15 minutave të para, duke dalë nga loja me karton të kuq dhe duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë për gjysmëorën e mbetur.
Por Dinamo nuk ka arritur të përfitojë, pasi pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Edhe pjesa e dytë ka patur të njëjtën tablo, me blutë që përpiqen dhe bëjnë një vëllim më të madh loje, por pa forcën dhe saktësinë e duhur përballë skuadrës mike, që mbrohet mirë dhe madje guxon të godasë edhe me kundërsulme. Rastet nuk kanë munguar dhe, teksa Dikson shpërdoron në mënyrë të pabesueshme në minutën e 87-të, kur godet pasaktësish brenda zonës për Dinamon.
Dhe kryeqytetasit ndëshkohen menjëherë, pasi në minutën e dytë shtesë, nga 7 të tilla, Dushkaj do të finalizojë me sukses një kundërsulm të beratasve, duke gjetur rrugën e rrjetës.
Tomori e mbron deri në fund fitoren minimale dhe merr 3 pikët që e ngjisin në vendin e 6-të, në kuotën e 24 pikëve, ndërsa Dinamo dorëzon kreun, teksa mbetet tanimë në vendin e dytë, me 31 pikë, dy më pak sesa Skënderbeu. Java e 17-të e Kategorisë së Parë do të luhet të hënën, duke nisur nga ora 13:00, teksa Besa e Kavajës do të përballet me Flamurtarin, që ka mundësinë të kapërcejë mbi Dinamon mbi renditje me një fitore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




