Dirigjenti me famë botërore Zubin Mehta së shpejti në koncertin gala në Tiranë
Dirigjenti me famë botërore Zubin Mehta do të jetë në Tiranë më 22 qershor. Lajmin e jep ministrja e kulturës Elva Margariti në rrjetet sociale. “HISTORIKE! Legjenda e gjallë e dirigjimit botëror, @zubin.mehta.official vjen në Tiranë!” shkruan zonja Margariti.
Galaja e 22 qershorit ku do të jetë dhe maestro Zubin Mehta vjen në kuadër të “Ballkanit të hapur” dhe lidhet edhe me festimet e 100-vjetorit të Orkestrës Filarmonike të Beogradit. Mehta do të dirigjojë orkestrën në një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Në program do të jetë Simfonia nr. 7 e Beethoven-it dhe “Symphonie fantastique” e Hector Berlioz.
“Mos e humbni këtë rast unik!” është thirrja e ministres Margariti.
Kjo është hera e parë që dirigjenti me famë ndërkombëtare, indiani hebre Zubin Mehta 87 vjeç, vjen në Shqipëri.
Por publiku shqiptar e njeh përmes dirigjimit të Koncertit të Vjenës që RTSH sjell prej dekadash çdo vit të ri , si dhe bashkëpunimit me tre tenorët: Pavarotti, Domingo e Carreras.
Titujt që mban Zubin Mehta janë të shumtë. Karriera e tij mori hov që kur drejtoi Filarmoninë Mbretërore të Liverpulit, në moshën 21-vjeçare dhe më pas filloi të zëvendësonte gjithë dirigjentët më me emër. Ai u bë dirigjenti më i ri që ka drejtuar ndonjëherë një orkestër filarmonike në Amerikën e Veriut.
Që prej vitit 1981 ai mban titullin “dirigjent i përjetshëm” nga Orkestra Filarmonike e Izraelit.
Tituj të tillë si “dirigjent nderi” i janë dhënë Zubin Mehtas nga orkestrat e të gjithë kontinenteve.

/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




