Dita Ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të Holokaustit, Spiropali: Krenarë për vlerat tona

Politikë | 3 vite më parë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali,  e shoqëruar nga ambasadorja e Izraelit  Sh.S.Znj Galit Peleg dhe ambasadori gjerman, Sh.T.Z Karl Bergner, si dhe përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare, mori pjesë në ceremoninë që u mbajt sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit.

“Shpesh harresa është një dhuratë hyjnore – të hedhësh të ligën pas krahëve, të harrosh, do të thotë dhe të shërohesh”, shkruan Spiropali në rrjetet sociale.

“Në rastin e Holokaustit është e kundërta. Kujtesa është mjeti dhe instrumenti më i rëndësishëm për të kujtuar se çfarë ngjau dhe për të mos lejuar përsëritjen e asaj barbarie në asnjë lloj forme”, u shpreh ajo.

“Sjellja e shqiptarëve ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është histori e vlefshme për t’u ngritur në piedestalet më të larta të historisë evropiane”, vijoi Spiropali.

“Vetë Shqipëria ishte vend i pushtuar nga nazistët dhe ndërkohë që bënte luftë çlirimtare shqiptarët dhe autoritetet nuk dorëzuan asnjë hebre. Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit dhe ne mikun e kemi trajtuar si Zot. Ne jemi krenarë për vlerat tona për ta mbrojtur tjetrin, në rast rreziku dhe nevoje”, përfundon Spiropali.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme