Divjaka, ndër plazhet më të lira për turistët sot në Shqipëri

Tërheqja e detit nga zona ranore në Divjakë ka krijuar ishuj të vegjël, të cilët po vizitohen nga turistë të shumtë.
Për të arritur tek ato duhet të marrësh trenin e vënë në dispozicion falas për pushuesit ose mund të ecësh detit në këmbë për dy kilometra.
Ky bregdet ka ujë të pastër dhe është i cekët. Plazhi është i përshtatshëm, sidomos për turistët vendas dhe të huaj që kanë fëmijë të vegjël.
Këtu çmimet janë më të lirat në të gjithë vendin.
Në plazhin e Divjakës, shezlongët kushtojnë 500 lekë deri në 1 000 lekë për të qëndruar nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Turistet vendas kërkojnë që zona të ruhet nga ndërtimet.
“Unë uroj që ky plazh të ngelet kaq i virgjër sa ç’është, larg modernizmave shkatërrues. Tentojmë flukse të mëdha pushuesish, me dhe pa kulturë, për ta copëzuar dhe për ta prishur. Ky plazh autentik i Divjakës duhet të zhvillohet duke ruajtur karakteristikat e zonës,” thotë një pushues.
Numri i turistëve që preferojnë plazhin e Divjakës është në rritje.
Për të tërhequr pushuesit në këtë plazh mund të shohësh edhe strucin australian, të përshtatur me klimën dhe me njerëzit.
Për shkak të hapësirës së madhe të plazhit, në Divjakë mund të marrësh çadrën me vete.
Zonat publike janë të shumta dhe gjatë ecjes mund të vëzhgosh tufat e peshqve në cekëtinë e ujit të kripur.
Gazetare: Megi Mëhilli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




