Dopieta e Foden dhe Haaland, City fiton derbin e Manchester-it!

Angli | 3 vite më parë

City rrëmben derbin e Manchester-it në javën e 27-të të Premier League. Të besuarit e Guardiolës mundën United 3-1 dhe vazhdojnë të ndjekin Liverpoolin në krye të tabelës, tani vetëm një pikë prapa (63 dhe 62). Djajtë e Kuq të Ten Hag mbeten të mbërthyer në vendin e gjashtë me 44 pikë.

United zhbllokoi ndeshjen me një predhë të Rashford. Protagonisti tjetër i pjesës së parë për Djajtë e Kuq përveç Rashfordit ishte Onana me pritjet e tij. Skuadra e Guardiolës, në fakt, dominoi me 74% posedim të topit dhe gjithsej 18 goditje, të cilat megjithatë nuk çuan në barazim.

Në fund të pjesës së parë Haaland humbi një mundësi të madhe, pasi mori topin nga Foden para portës, por nuk arriti të finalizonte. Në pjesën e dytë City vazhdoi të ushtronte presion, duke gjetur më në fund golin e barazimit me Foden në minutën e 56-të. Ritmi u rrit falë ndryshimeve të dy trajnerëve, në një derbi të luajtur hapur dhe pa kursyer asnjë përpjekje.

Në fund, Foden vendosi sërish ndeshjen, duke kompletuar rikthimin e Qytetarëve në minutën e 80-të, pasi mori një asistim madhështor në zonë nga Alvarez. Amrabat hyn te United dhe bëhet protagonist negativ me një gabim në mbrojtje që i lejon Haaland-it të mbyllë derbin 3-1.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme