Dorëheqja e Alibeajt, Salianji: ‘Vula” përpjekje për fragmentarizimin e PD. Opozita të ndërtojë urë komunikimi

Pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i PD-së, deputeti Ervin Salianji u shpreh para mediave, se nuk është momenti që demokratët të përfitojnë për interesa personale. Ai kërkoi reflektim dhe bashkëpunim mes demokratëve për të ringritur PD-në, dhe të shmangen përçarjet e mëdha.
Salianji theksoi se partia e vulës, po bën përpjekje për të fragmentarizuar edhe më shumë PD.
“Gjithsecili që ka ambicie, skema, apo që e sheh këtë moment për të përfituar diçka personalisht për shkak të momentit të dobët në të cilën gjendet PD, duhet të reflektojë për interesa të demokratëve. Secili që përfiton diçka në këto momente, e ka momental por bën dëmtim të madh ndaj interesave të qytetarëve.
Opozita duhet të dokumentojë, reflektojë dhe merret me veten.
Mendoj që gjithsecili të ulet dhe të bëjë të mundur që të gjenden mekanizmat e duhur për tu hapur drejt shoqërisë s’mund të bahet peng opozita nga disa që kanë interesa personale për të bërë skema.
Shoh përpjekje për të dëmtuar interesat e demokratëve dhe opozitës. Fraksioni u vulës apo partia e vulës ka përpjekje për tu fragmentarizuar dhe më shumë. Nuk kanë interes për të krijuar një opozitë të re, por të marrin ndonjë funksion. Nuk do zgjasë më shumë se dy orë se brenda ditës do kuptoni se ka përpjekje që secili të bëhet kryetar të marrin ndonjë rrogë”, tha Salianji.
Më tej, ai bëri me dije se ndonëse ka mbledhur mbi 60% të firmave të nevojshme, nuk do të jetë kryetar i grupit të PD-së, deri në ngritjen e të gjitha urave të komunikimit mes demokratëve.
“Varianti që unë mendoj, që të gjithë deputetët e opozitës të bëjnë mbledhje dhe të gjejnë zgjidhje. Nëse nuk ka interesa të përbashkëta me demokratët e bazës, opozita duhet të bëjë një organizim të ri për të pasur diskutim.
Nuk është momenti që në momente vështirësish, të krijohen ngërçe të tjera që do bllokonin urat e komunikimit mes demokratëve dhe do u jepnin avantazh PS.
Opozita duhet të kalojë çdo ndarje ideologjike, që të kemi një opozitë me të gjitha ngjyrimet. Kam nis mbledhjen e firmave dhe i kam arritur, mbi 60% e partisë ka dashur të jem kryetar, por e kam stopuar për t’u dhënë mundësi reflektimi.
Nuk do jem në asnjë moment kryetar grupi, deri sa të ngrihen të gjitha urat e komunikimit”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




