“Dosja I.M”, Berisha: Falsifikim, Meta i është nënshtruar verifikimit periodik që prej 1996

“Falsifikim” e ka konsideruar kreu i PD, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, publikimin e emrit të Ilir Metës si bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit nga Autoriteti i Informimit mbi dosjet. Me një postim në Facebook, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se ka manipuluar dosjet “në një akt hakmarrjeje të verbër”.
Sipas Berishës, Rama po përpiqet të largojë vëmendjen nga “vjedhjet e tij të tmerrshme gjatë 23 viteve në pushtet si kryetar bashkie dhe kryeministër”
Ai thekson se Meta, i cili ka nisur karrierën e tij si parlamentar që nga viti 1996, i është nënshtruar në mënyrë periodike verifikimeve dhe nuk ka rezultuar asnjëherë me asnjë lidhje me policinë sekrete.
“Një akt i shëmtuar i turpshëm i Edi Ramës! Pas inaugurimit të monizmit të plotë, Edi Rama, në traditën më të shëmtuar të bllokmenëve hoxhistë, i tmerruar nga opozita, urdhëron falsifikimin dhe manipulimin e dosjeve dhe sulmoi në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish – Presidentin e Republikës Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Pa dyshim një fallsifikim dhe manipulim i shpifur ky. Ish Presidenti Meta si parlamentar i është nënshtruar nga viti 1996 deri sot verifikimit periodik si kandidat opozite dhe mazhorance për deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nga i cili në të gjitha rastet ai ka rezultuar pa asnjë lidhje me policinë sekrete. Me këte sulm të ulët dhe amoral Edi Rama përpiqet të vendosë në harresë firmën prej xhelati të Kristaq Ramës në varjen e poetit Havzi Nela dhe pushkatimin e qytetarëve të tjerë të pafajshëm. Me këtë sulm Edi Rama përpiqet të krijojë tymnajë për vjedhjet e tij të tmerrshme gjatë 23 viteve në pushtet si kryetar bashkie dhe kryeministër, ai përpiqet të sfumojë akuzën për 200 milionë euro të fshehura prej tij në bankat offshore të denoncuara në Raportin e OSBE – së në vitin 2014, për të cilin heshti si fije bari. Me këtë akt të ulët Edi Rama kërkon të fusë në thes sarajet e tij në Surrel të ndërtuara në një kohë kur kishte të deklaruara në ILDKP vetëm 3800 marka gjermane dhe 400 mijë lek. Ai kërkon të fusë në thes pallatin 5 katësh në pajë të ndërtuar pa asnjë faturë tatimore, ndërtimore, doganore, bankare. Me këtë akt të ulët Edi Rama, i damkosur tashmë si hajduti më i madh në tërë historinë e shtetit shqiptar, kërkon të zbehë vjedhjen me firmën dhe vulën e tij të qindra milionë euro në aferën e inceneratorëve, kërkon të errësojë mega aferat prej miliarda euro të Butrinit, Portit të Durrësit dhe me të ashtuquajturit investitorë strategjikë, me PPP, koncesionet me tenderat sekret etj etj. Duke dënuar me forcën më tē madhe këtë akt amoral, e siguroj Edi Ramën se asgjë nuk do të shpëtojë ty dhe vjedhësit e tu të ekipit tënd ‘Hajnia‘, nga gjykimi publik popullor”, shkruan Berisha.
Ditën e djeshme, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri me dije se një personazh me profil të lartë publik me iniciale I.M rezultonte të ishte bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa RTSH zbardhi letrën dhe vendimin e Autoritetit drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku përmendet emri i Ilir Metës. Ky i fundit reagoi duke theksuar se dosjet janë të manipuluara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




