Drejt tregut unik evropian, hartohet dokumenti politik SMART për NVM-të 2026-2030, rreth 32.7 milionë lekë për eko-sistemin e biznesit

Ekonomi | 4 muaj më parë

Qeveria shqiptare po ndërmerr një reformë të thellë strukturore për të transformuar mjedisin operacional të biznesit privat në vend. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka propozuar projektvendimin “Për Miratimin e Dokumentit Politik për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2026-2030”. Ky dokument shërben si një nga piketat mbyllëse për Kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

Sektori i NVM-ve përbën bazën e ekonomisë shqiptare, duke përfaqësuar 99.9% të ndërmarrjeve aktive, mbi 82% të punësimit dhe rreth 78% të vlerës së shtuar. Megjithatë, ky sektor përballet me produktivitet të ulët, adoptim të kufizuar të teknologjisë dhe integrim të dobët në tregjet ndërkombëtare. Dokumenti i ri synon që, përmes një arkitekture të integruar, të kalojë nga strategjitë e fragmentuara drejt një sistemi të unifikuar ndërhyrjeje.

“Deri në vitin 2030, Shqipëria do të ketë një ekosistem dinamik dhe SMART të NVM-ve, i cili shërben si motori kryesor i një rritjeje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe plotësisht të integruar në Tregun Unik Evropian. NVM-të shqiptare do të dallohen për maturimin e tyre digjital, performancën e lartë mjedisore dhe aftësinë për të inovuar e konkurruar globalisht,” parashikon dokumenti.

Arkitektura e dokumentit, 3 qëllime dhe 11 objektiva

Strategjia e re është e organizuar në pesë seksione specifike, duke filluar nga analiza diagnostikuese e situatës aktuale e deri te matrica e planit të veprimit dhe mekanizmat e monitorimit. Sipas relacionit, thelbi i ndërhyrjes mbështetet mbi një strukturë të ndarë në tre shtylla kryesore strategjike: Fokusimi te transformimi i brendshëm i ndërmarrjeve përmes forcimit të kapitalit njerëzor, inovacionit, tranzicionit të gjelbër dhe adoptimit të teknologjive të Industrisë 4.0. Ky qëllim operacionalizohet përmes 5 objektivave specifike; krijimi i një klime nxitëse për biznesin, duke reduktuar barrën administrative, duke përmirësuar shërbimet publike digjitale dhe duke zgjeruar mundësitë për eksport. Ky qëllim përmban 3 objektiva specifike; adresimi i barrierës kryesore të biznesit në Shqipëri – aksesi në financim. Synohet diversifikimi i instrumenteve financiare alternative, rritja e edukimit financiar të sipërmarrësve dhe forcimi i mekanizmave të ristrukturimit parandalues. Ky qëllim përfshin 3 objektiva specifike.

Për të realizuar këto 11 objektiva specifike, dokumenti përcakton një paketë prej 25 masash prioritare, të cilat do të zbatohen në terren deri në vitin 2030.

Korniza rregullatore dhe koordinimi ndërinstitucional

Dokumenti politik është hartuar në përputhje të plotë me Komunikatën e Komisionit Evropian Nr. (2020) 103 për një strategji të NVM-ve të qëndrueshme dhe digjitale. Ai reflekton gjithashtu kërkesat e Rregullores së BE-së 2018/1724 për Single Digital Gateway dhe Rregullores 2019/2152 për statistikat e biznesit.

Për hartimin dhe zbatimin e këtij plani, me Urdhrin nr. 14, datë 30.01.2026, u ngrit një Grup Ndërinstitucional Pune, ku përfshihen një sërë ministrish të linjës dhe agjencish të specializuara. Drejtimi dhe koordinimi i përgjithshëm i mbetet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit (MEI), ndërsa zbatimi do të bëhet në bashkëpunim me aktorë kyç si AIDA, AKPA, AKSHI, AKKSHI dhe Banka Shqiptare e Zhvillimit.

Analiza e kryer nga grupi i punës konfirmon se ky projektakt nuk sjell mbivendosje ligjore me kuadrin aktual dhe as nuk përfshin procese të derregullimit apo thjeshtimit të procedurave ekzistuese.

Sistemi i monitorimit do të organizohet në tre nivele: raportimi periodik institucional, Raporti Vjetor i Performancës së NVM-ve dhe raportimi qeveritar e ndaj BE-së. Gjithashtu, dokumenti parashikon realizimin e një vlerësimi të ndërmjetëm në vitin 2028 dhe një vlerësimi përfundimtar në vitin 2030.

Projektvendimi sqaron se efektet financiare prej 32,715,000 lekësh do të përballohen nga buxhetet respektive vjetore të institucioneve të ngarkuara, si dhe nga buxhetet e donatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë të zhvillimit. Akti do të dërgohet për mendim zyrtar pranë ministrive të linjës, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Financave, dhe Ministrin e Shtetit dhe Kryenegociator, përpara miratimit final në Këshillin e Ministrave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme