Durrës/ Qendrat shëndetësore verore presin jo vetëm turistët

Sociale | 3 vite më parë

Qendrat shëndetësore verore po presin pacientë të shumtë në këtë periudhë të vitit, të cilët janë banorë rezidentë, por më së shumti pushues.

Këto qendra janë kthyer në një shërbim shumë të mirë edhe për banorët e lagjeve, të cilët e shfrytëzojnë hapjen e tyre për të marrë shërbime bazike.

I tillë është rasti i 70-vjeçarit Kadri Hoxha, i cili ka ardhur për të matur tensionin.

“Ambulanca është shumë e mirë. Doktoreshat punojnë shumë mirë dhe do doja t’i kishim përherë këtu,” thotë ai.

Mjekja specializante Fatilba Skoku shprehet se në këtë qendër paraqiten kryesisht persona që kanë probleme me hipertensionin, gastroenterite dhe probleme lipotimie.

“Rastet janë të shumta. Ato që mund të evidentojmë janë mjekimet e plagëve, matjet e parametrave, gastroenteritet etj. Për sa i përket pjesës së urgjencave, 127 nga ne thirret më shumë për persona të cilët kanë qenë dhe janë me probleme kardiologjike,” thotë mjekja Skoku.

Ajo që vihet re në këtë periudhën që përkon me kulmin e sezonit turistik është fakti se shumica e pacientëve që kanë marrë shërbim mjekësor janë shtetas të huaj, të cilët kanë pasur probleme me lipotiminë.

Në fillim të muajit qershor në plazhet e Durrësit janë hapur disa qendra shëndetësore verore, duke filluar nga gjiri i Lalzit deri tek shkëmbi i Kavajës.

Gazetare: Megi Mëhilli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme