Dyndje turistësh në kalanë “Rozafa” – Veç historisë e panoramës, vlerësojnë mjedisin e pastër

Kalaja “Rozafa” është një realitet i ri turistik. Themi kështu pasi numri i vizitorëve në të vijon të jetë në rritje. Turistët vendas dhe të huaj nuk kanë reshtur së vizituari këtë park arkeologjik as në këto ditë të para të vitit. Nga ora 09:00 deri në 16:00, kalaja “Rozafa” është e hapur çdo ditë për ta.
Mbi 1 mijë vizitorë e kanë parë nga afër këtë sit arkeologjik në ditët e para të janarit. Vijnë nga Lezha, Tirana, Kosova e madje edhe nga Kina e largët për t’u njohur me historinë e saj si dhe për të shijuar panoramën e mrekullueshme të qytetit që kjo kala ofron ajo nga lart.
“Vij nga Pekini dhe lashtësia e këtij objekti më krijon ndjesinë sikur jam në vendin tim pasi kemi shumë të tilla dhe kujdesemi për to. Një emocion i vërtetë vizita këtu dhe sigurisht pamja është fantastike pasi nga këtu ku jemi shikohet i gjithë qyteti. Më ka pëlqyer shumë Shkodra dhe do ja rekomandoj edhe miqve të mi”, tha një turiste.
Muzeu i kështjellës është një tjetër pikë e rëndësishme e saj pasi aty vizitorët kanë mundësinë të njihen nga afër me dëshmi dhe artefakte të banimit të Shkodrës në periudha të ndryshme historike. Mbajtja pastër e hapësirës në tre oborret e kalasë është një nga detajet që veçojnë vizitorët.
Kalaja “Rozafa” theu rekord vizitueshmërie në vitin 2023 teksa u regjistruan 125737 vizitorë ose 31447 më shumë se në vitin 2022.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




