E reja humb jetën gjatë operacionit në spitalin privat, merren në pyetje familjarët dhe mjekët

Një vajzë 28-vjeçare humbi jetën në një nga spitalet private në Tiranë.
Siç raportoi policia e kryeqytetit, ajo ka ndërruar jetë fill pas kryerjes së një ndërhyrje kirurgjikale ndërsa menjëherë pas raportimit të ngjarjes nga familjarët, uniformat blu kanë nisur hetimet.
Policia saktëson se nën drejtimin e Prokurorisë, është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale si autopsia, marrja në pyetje e familjarëve, marrja në pyetje e mjekëve dhe anestezistit që kanë marrë pjesë në operacion.
Mjekët që janë marrë në pyetje kanë deklaruar se kanë ndjekur të gjitha rregullat standarde që kryhen për operacione të ngjashme, megjithatë Prokuroria ka kërkuar që të verfikohen të gjitha lëvizjet dhe detyrat që janë kryer që nga momenti që vajza ka shkuar për të kryer ndërhyrjen, deri kur ka ndërruar jetë.
Ndërkohë janë sekuestruar dokumentacionet e plota të ndërhyrjes, përfshirë kartelën mjekësore në spital dhe materiale të tjera me rëndësi për hetimin, i cili është në fazë fillestare
Bëhet e ditur se 28-vjeçarja kishte kërkuar që spitali ta trajtonte për një ndërhyrje estetike, por familjarët ngrenë pretendimin se të resë nuk i janë kërkuar analiza mbi gjendjen e saj shëndetësore.
Dyshime se e reja ka pësuar trompozë pas operacionit, megjithatë do të jetë Instituti i Mjekësisë Ligjore ai që do të përcaktojë shkakun e humbjes së jetës.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




