Edi Rama pret presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani

Kryeministri Edi Rama ka pritur presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Pas takimit që kjo e fundit zhvilloi me presidentin e Republikës, Bajram Begaj, Osmani ka takuar kreun e qeverisë.
Rama e ka pritur në zyrë Osmanin së bashku me delegacionin e saj që e shoqëronte.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Me Presidenten Vjosa Osmani, për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënies së patjetërsueshme Kosovë–Shqipëri,” shkroi Rama në rrjetin social Facebook.
Më pas, kryeministri Rama së bashku me presidenten Osmani janë drejtuar për në vilat qeveritare.
Ndërkaq, më herët Osmani deklaroi në konferencën e përbashkët me presidentin Begaj, nevojën për mbështetjen nga Shqipëria, për të qenë zëri i saj në instancat ku Kosova ende nuk përfaqësohet.
“Synim shtetëror e strategjik yni mbetet anëtarësimi në NATO dhe në BE, si dhe në të gjitha organizatat e tjera ku kemi interes shtetëror.
Fuqizimi i koordinimit të vazhdueshëm në politikën e jashtme është në dobi jo vetëm të shteteve tona, por edhe të rajonit më gjerë.
Prandaj edhe kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme,” deklaroi Osmani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




