Egjipt/ Hapet Samiti COP27 për klimën: Urgjente marrja e veprimeve për të shmangur katastrofën globale

Botë | 4 vite më parë

Me një paralajmërim se planeti ynë “po dërgon një sinjal shqetësimi” është hapur këtë të diel Samiti i klimës COP27 i OKB-së në Egjipt. Puna e samitit vjen mes thirrjeve në rritje për vendet e pasura për të kompensuar shtetet më të varfra që janë më të prekshme ndaj ndryshimeve klimatike. Vetëm në muajt e fundit, katastrofat e shkaktuara nga klima kanë vrarë mijëra, zhvendosur miliona dhe kanë kushtuar miliarda dëme në të gjithë botën.

Delegatë nga afro 200 vende u mblodhën në resortin Sharm el-Sheikh të Detit të Kuq për konferencën 13-ditore, me udhëheqësit që mbërrijnë të hënën dhe të martën. 

Presidenti i COP27, Ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, u bëri thirrje udhëheqësve që të mos lejojnë që krizat e ushqimit dhe energjisë që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës të pengojnë veprimin ndaj ndryshimeve klimatike.

“Është e natyrshme për ne të gjithë në Sharm el-Sheikh të demonstrojmë njohjen tonë të përmasave të sfidave me të cilat përballemi dhe vendosmërinë tonë të palëkundur për ta kapërcyer atë”, tha ai

Përfaqësuesit e vendeve ranë dakord të diskutojnë nëse vendet e pasura duhet të kompensojnë vendet më të varfra dhe më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike.

Diplomatët ranë dakord ta përfshinin këtë çështje të mprehtë në axhendën e konferencës dhe ranë dakord në mënyrë specifike të diskutojnë çështjet që lidhen me “marrëveshjen e financimit në lidhje me humbjet dhe dëmet (d.m.th. kompensimet), të cilat vijnë nga efektet negative të ndryshimeve klimatike”.

Shkencëtarët kanë vlerësuar se temperatura globale e Tokës është rritur në 1.15 gradë Celsius prej epokës paraindustriale dhe se tetë vjetët e fundit janë më të nxehtit në histori.

Urgjenca për t’u marrë me këtë çështje ka qenë evidente në 12 muajt e fundit për shkak të vërshimeve shkatërruese në Pakistan, si dhe pas të nxehtit ekstrem në Indi dhe Evropë verën që kemi lënë pas. Liderët botërorë do të flasin në këtë konferencë të hënën dhe të martën, dhe pas largimit të tyre, delegacionet do të nisin negociatat se çfarë mund të bëhet.

Samiti, i cili filloi sot, e diel, 6 nëntor, pritet të përfundojë më 18 nëntor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme