Ekstradohen dy persona nga Greqia dhe Serbia! Njëri prej tyre, pjesë e grupi kriminal të trafikut të drogës

Aktualitet | 3 vite më parë

Dy persona janë ekstraduar nga Greqia dhe Serbia, të cilët do të vuajnë dënimin e tyre në Shqipëri për vepra të ndryshme penale.

Nga Greqia është ekstraduar 30-vjeçari K. R., pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas policisë “30-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Nga Serbia është ekstraduar Almario Vojoviç, 29 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’ dhe me 1 vit tjetër burgim, për veprën penale ‘’Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’’.

29-vjeçari në vitin 2018 strehoi në banesën e tij dhe ka transportuar kundrejt pagesës, shtetas të huaj, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Gjithashtu, ky shtetas ka mbajtur pa lejen përkatëse, në ambiente publike, një dorezë metalike (përforcues grushti), e klasifikuar si armë e ftohtë.

Në kuadër të bashkëpunimit është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, Klodjan Hajderlli, 43 vjeç, pasi në mars të vitit 2022, autoritetet italiane e kanë dënuar me 8 vjet burgim për veprën penale “Shkelja e ligjit mbi narkotikët ”, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer edhe 5 vjet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme