Elbasan, Rama: Pas 14 majit, fitorja e bashkive nga PS, do të jetë gjëja më e mirë, jo vetëm për socialistët

Nga Elbasani, kryetari i PS-së Edi Rama, gjatë një takimi me zgjedhësit, u ka kërkuar qytetarëve që të votojnë për kandidatin e PS-së, Gledian Llatja, pasi, sipas tij, fitorja nuk është vetëm për socialistët, por për të gjithë Elbasanin.
Kreu i qeverisë ka nënvizuar se janë rritur investimet në Elbasan dhe paralelisht do të vazhdohet me rritjen e numrit të turistëve edhe në ato zona ku më parë nuk mendohej të kishte.
“Qytetet do të pastrohen, do të vazhdojnë edhe punët e nisura, të gjitha projektet e mëdha, si dhe do të rritet numri i turistëve që vijnë në zonën e Elbasanit, ku më parë as nuk bëhej fjalë për turistë. Pas 14 majit, fitorja e kryetarëve tanë të bashkive do të jetë gjëja më e mirë që mund t’u ndodhë, jo vetëm socialistëve.”- komentoi Rama.
Kryeministri, ndër të tjera, nënvizoi se investimet për bashkinë Elbasan do të vazhdojnë. Ai ka përmendur edhe Automoto-Parkun e Elbasanit, i cili, sipas tij, do jetë një industri fitimprurëse për gjithë qytetin.
“Automoto- Parku i Elbasanit do sjellë një industry, e cila do të jetë shumëfish më e fuqishme se Kombinati Metalurgjik. Një industri e eventeve të mëdha të sportit, që do joshë njerëz nga katër anët e Ballkanit. Kjo do jetë ekonomi dhe këtu jemi përqëndruar, Po kush do t’i bëjë këto? Ata? Ata nuk duhen votuar se nuk kanë çfarë bëjnë fare se nuk kanë lidhje me bashkitë tona”-tha Rama.
Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë ka anatemuar edhe dysheh e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Berisha- Meta, për të cilët u shpreh se sa më e madhe fitorja e PS-së aq më shumë do të zvogëlohen ambiciet e tyre.
““Non grata” bashkë me Like floririn do shohin që po u zvogëlohen ambiciet. Drejtësia, e cila ka vonuar aq shumë për ta, çdo ditë e më shumë ka më pak shanse për ti harruar”- deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se aleatët e mëdhenj kanë një problem me votuesit shqiptar, sepse duan të dëgjohen në një kërkesë që kanë bërë, në një kërkesë që e konsiderojnë legjitime dhe të rëndësishme në marrëdhënien me ne.
“Problemi i tyre është ai që ka shprehur me shkrim, me vulë dhe që e kanë përsëritur me zë dhe figurë disa herë, problemi i tyre është që ata duan të na mbështesin çdo hap e më shumë, por ama thonë ju lutemi shumë këtë tipin, nuk duam ta shohim me sy, na e hiqni nga sytë sepse është i padëshirueshëm për ne. Këtu sigurisht që secili nga ju që keni ardhur dhe të tjerë që nuk janë këtu, e dini shumë mirë së për kë duhet të votoni. Por ka të tjerë të cilët çuditërisht akoma nuk e kuptojnë se sa e rëndësishme është që në 14 Maj të japin kontributin e tyre të vogël në funksion të asaj që është një marrëdhënie shumë e madhe me Perëndimin dhe SHBA. Në 14 Maj miqtë tanë, nuk do të numërojnë votën e PS, ama do të shikojnë patjetër, sa vota i dhanë këta këtij “gërdallës” që vjen vërdall dhe ça kanë këta, pse e bëjnë këtë gjë, pse nuk e konsiderojnë kërkesën tonë kur ne jemi garancia për të ardhmen e tyre. Arsye pse ata nuk votojnë PS, është sepse ata thonë që jam i djathtë dhe nuk mund të bëhem i majtë. Dhe arsyeja themelore se pse ata e bëjnë këtë vjen nga larg, nga paraardhësit e tyre që dolën kundër komunizmit. Por çfarë i bërë ata të ndaheshin nga komunizmin, i ndau SHBA. Tani si i bëhet kësaj punë ku pikërisht ata duhet të ndahen me SHBA për hirë të “Salike Floririt”.- theksoi ai.
“Këtu në Elbasan ka një fenomen, që unë kam kënaqësi kur flas për të, se me heq mallin e Lul Bashës. Ai është i madh. Njerëz që nuk kanë as gjak, s’kanë as nerv, s’kanë as minimumin e turpit farë të shohin në sy dhe të rrejnë si me këndu këngë popullore. Elbasani e ka edhe më të thjeshtë, mjafton të shohi Lulushin edhe Visin, profesor për profesor, njëra krenari e qytetit, tjetri sikur ka dalë nga arkiva e Kinostudios ka rregullu flokët e Kocit të teta Ollgës për të shit breshka dhe krokodila. Ai është kandidati i faqes se zezë, vetëm fakti që i kanë dhënë fytyrën e emrin faqes së zezë ata nuk meritojnë të konsiderohen për të marrë votë. Ne kemi sot arsye shumë të forta që të themi që do të shkojmë vetëm përpara. Këtu nuk ka pasur ujë të pijshëm, sot nuk është problem më, ka disa pika ku ka nevojë për ndërhyrje, por ne tani kemi ardhur në një moment kthese në ekonomi. Tani po bëjmë rritjen më të madhe të pagës mesatare, vitin e ardhshëm do ta çojmë 900 euro. Automotoparku do të sjellë këtu një industri që do të jetë shumëfish më e fuqishme se kombinati metalurgjik.”- nënvizoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




