Elon Musk humbet mbi 152 miliardë dollarë brenda një dite, statusi i trilionerit në rrezik, aksionet e SpaceX bien ndjeshëm

Pasuria e Elon Musk ka pësuar një goditje të fortë këtë javë, pasi aksionet e kompanisë së tij hapësinore SpaceX ranë ndjeshëm në bursë.
Musk u bë trilioneri i parë në botë këtë muaj kur SpaceX u listua në tregun e aksioneve. Megjithatë, pas një rënieje prej 16% të aksioneve të kompanisë të hënën, pasuria e tij ka zbritur në rreth 1.1 trilionë dollarë.
Vetëm rënia e së hënës i fshiu Muskut më shumë se 152 miliardë dollarë nga pasuria neto, sipas vlerësimeve të Forbes. Shumica e investitorëve që blenë aksione të SpaceX pas debutimit të saj në bursë më 12 qershor po përballen gjithashtu me humbje.
Aksionet e SpaceX u mbyllën në nivelin 156 dollarë, pak mbi çmimin fillestar prej 150 dollarësh me të cilin nisën tregtimin më 12 qershor, por dukshëm nën rekordin prej 225 dollarësh të arritur një javë më parë. Oferta fillestare publike (IPO) ishte vlerësuar me 135 dollarë për aksion, çka do të thotë se investitorët e hershëm mbeten ende në fitim.
Rënia e ditëve të fundit ka ulur vlerën e SpaceX nga rreth 2.99 trilionë dollarë në kulmin e saj në pak më shumë se 2 trilionë dollarë. Kjo përfaqëson një humbje prej afro 1 trilion dollarësh në vlerën e kompanisë.
Sipas Danni Hewson, drejtuese e analizës financiare në AJ Bell, SpaceX dukej e pandalshme pas IPO-së rekord dhe rritjes së fortë fillestare, por në ditët e fundit është përballur me një korrigjim të fortë në treg.
Ajo theksoi se aksionet e kompanive që sapo listohen në bursë shpesh kalojnë periudha luhatjesh të mëdha, pasi investitorët përpiqen të përcaktojnë vlerën reale të tyre. Sipas saj, shumë investitorë mund të jenë udhëhequr nga emocionet dhe pritshmëritë për zhvillime të mëdha në eksplorimin e hapësirës, por investimet duhet të bëhen me kujdes dhe durim.
Ndërkohë, Musk u godit edhe nga rënia prej 5.8% e aksioneve të Teslas gjatë së njëjtës ditë, pasi sektori i teknologjisë u përball me një shitje masive të aksioneve të lidhura me inteligjencën artificiale dhe industrinë e gjysmëpërçuesve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





