Emiri i Katarit telefonon mbretin saudit për herë të parë pas pajtimit të vendeve të Gjirit

Botë | 6 vite më parë

Emiri i Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, ka telefonuar Mbretin e Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, për t’ia uruar muajin e Ramazanit.

Dy udhëheqësit kanë shkëmbyer urime me rastin e muajit të agjërimit, njoftoi agjencia zyrtare saudite SPA, ndërkohë që kjo është biseda e parë midis emirit katarian dhe mbretit saudit që nga pajtimi midis vendeve të Gjirit.

Në qershor të vitit 2017, vendet arabe si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti e akuzuan Katarin për “mbështetje të grupeve terroriste” dhe i ndërprenë të gjitha lidhjet diplomatike me vendin, duke vendosur embargo ekonomike.

Gjendja krijoi një krizë në rajonin e Gjirit, ndërkohë që Katari mohonte të gjitha akuzat.

Përpjekjet për t’i dhënë fund krizës dhanë fryte në fillim të këtij viti.

Më 4 janar, ministri i Jashtëm i Kuvajtit, Ahmed Nasser Mohammed al-Sabah, njoftoi se është arritur një marrëveshje për të hapur kufijtë tokësorë, detarë dhe ajrorë midis Arabisë Saudite dhe Katarit.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan Al Saud, njoftoi në Samitin e 41-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) të mbajtur në qytetin Al-Ula më 5 janar se vendet që kishin vendosur embargo ndaj Katarit kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Dohan dhe se embargoja është hequr./AA


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme