Euro zhvlerësohet sërish

Në tregun shqiptar euro ka rënë sërish në kursin e këmbimit me monedhën shqiptare lek.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të mërkurën euro u ble me 113.4 lekë dhe u shit me 114.1 lekë në raport me ditën e martë, duke shënuar rënie për të tretën ditë radhazi.
Sipas shifrave euro ndodhet përsëri pranë niveleve më të ulëta për vitin 2023, shumë afër vlerës prej 113.97 lekë që ishte më datë 13 mars.
Ekspertët e këmbimit valutor vlerësojnë se kjo situatë është vazhdimësi e presioneve nënçmuese të tregut mbi monedhën europiane, të konstatuara
qysh nga viti i kaluar.
Faktori mbizotërues, sipas tyre, ngelet oferta e bollshme e euros në tregun valutor, përkundrejt një kërkese të dobët për monedhën evropiane.
Pozitat e forta të lekut kundrejt euros mund të shpjegohen me disa element.
Vitin e kaluar, bilanci i pagesave shënoi përmirësim. Deficiti i llogarisë korrente u reduktua me 7.5% krahasuar me një vit më parë.
Ky përmirësim u ndikua nga ecuria pozitive e eksportit të shërbimeve.
Veçanërisht ka ndikuar viti rekord i turizmit, ku të ardhura në terma neto prekën rekordin historik prej 1.07 miliardë eurosh, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë.
Një efekt pozitiv po jep edhe zëri i të ardhurave dytësore, ku dërgesat e emigrantëve prekën nivelin më të lartë që prej vitit 2008.
Paralelisht, edhe flukset në llogarinë financiare prekën vlera rekord.
Investimet e huaja arritën vlerën historike rekord prej 1.37 miliardë eurosh, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë.
Këto shifra shpjegojnë në një masë të madhe ecurinë në rritje të flukseve të valutës në ekonominë shqiptare, pa llogaritur këtu prurjet informale, që është e vështirë të vlerësohen, por që në perceptimin e agjentëve të tregut kanë një rol të rëndësishëm në ofertën e valutës.
Ndikim në kursin e këmbimit mund të kenë pasur edhe politikat me natyrë shtrënguese që kanë prekur ofertën e monedhës kombëtare.
Banka e Shqipërisë në 12 muajt e fundit ka rritur normën bazë të interesit për pesë here, nga niveli 0.5% në 3%.
Më tej edhe politika fiskale ka pasur një natyrë konsoliduese gjatë vitit të kaluar. Deficiti buxhetor pësoi rënie me 8% krahasuar me një vit më parë.
Efektet e mbiçmimit të monedhës janë të favorshme për një pjesë të aktorëve ekonomikë, por të dëmshme për disa të tjerë.
Forcimi i lekut ka zbutur ndjeshëm presionet inflacioniste nga importi dhe është një ndër faktorët që ka ndikuar në nivele më të ulëta të inflacionit krahasuar me ekonomitë e tjera europiane.
Në këtë mënyrë, mbiçmimi i euros ka ndikuar pozitivisht sektorin importues, mbizotërues në ekonominë shqiptare, por edhe konsumatorët.
Efektet janë pozitive edhe për kredimarrësit në euro, që i kanë të ardhurat e tyre në lekë. Kjo ka zbutur pjesërisht efektin e rritjes së normave të interesit të kredive, të përcjellë sidomos nga kreditë me interes të ndryshueshëm nga rritja e treguesit referues, Euriborit.
Nga ana tjetër, forcimi i lekut ndaj euros është një zhvillim negativ për sektorin eksportues të ekonomisë, që siguron të ardhura në valutë dhe që shpenzimet i kryen përgjithësisht në lekë.
Por rënia e euros dhe trysnitë e forta për rritjen e pagave që po ushtron tregu i punës ndikojnë negativisht marzhet dhe konkurrueshmërinë e eksportuesve, sidomos në sektorëin e fasonerisë.
Humbje nga nënçmimi i euros në teori kanë edhe subjektet që kanë kursime në monedhën europiane dhe shpenzime në lekë, por sidoqoftë ky efekt është relativ, duke pasur shkallën e lartë të euroizimit të ekonomisë së brendshme.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




