Europa përvëlohet nga i nxehti. Zjarre dhe temperatura deri në 40 gradë në Spanjë, Francë e Itali

Botë | 2 muaj më parë

Europa po përballet me një valë të fortë të të nxehtit, ndërsa në Spanjë zjarrfikësit vijojnë betejën me flakët në disa zona.

Në Huelva, në jug të vendit, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 25 mijë hektarësh dhe mbi 600 persona janë evakuuar nga zonat e rrezikuara. Autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet e vështirë, ndërsa operacionet e shuarjes mund të zgjasin edhe disa ditë. Në veri, në Huesca, flakët kanë detyruar evakuimin e rreth 170 personave dhe kanë djegur rreth 3 mijë e 600 hektarë tokë. Në operacionet e emergjencës është angazhuar edhe ushtria, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Edhe Franca po përballet me temperatura përvëluese, me rreth 80 rajone në alarm portokalli dhe 45 të tjera nën alarm për rrezikun e zjarreve në pyje. Vendi po përballet gjithashtu me thatësirë të madhe dhe autoritetet kanë vendosur kufizime për përdorimin e ujit, veçanërisht për ujitjen dhe shatërvanët.

I nxehti ekstrem ka përfshirë edhe Italinë, ku temperaturat e larta pritet të vazhdojnë të paktën deri në fundjavë. Përballë situatës, Ministria italiane e Shëndetësisë vendosi javën e kaluar të gjitha qytetet kryesore në nivelin më të lartë të alarmit shëndetësor, në një sinjal të qartë për përmasat e kësaj vale të të nxehtit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme