Favorizuan ndërtuesit duke u ulur taksat e ndërtimit, pezullohen nga detyra 4 punonjës të Bashkisë Korçë

4 punonjës të Baskisë Korçë janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen se kanë favorizuar subjektet ndërtuese dhe individë të veçantë duke u ulur taksat për ndërtimin.
Sipas prokurorisë së Korçës, 4 zyrtarët “llogaritën në mënyrë të paligjshme taksën për ndërtimet dhe komplekset e luksit në masë më të ulët se sa duhej të paguhej në bazë të ligjit”.
4 punonjësit ishin pjesë e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Sektorit të Kontrollit të Zhvillimit të Territorit që merren me shqyrtimin e kërkesave për leje (deklarata, leje zhvillimi, leje ndërtimi, deklarata paraprake, certifikata përdorimi) pranë Bashkisë Korçë.
Të pezulluar janë: Zh. L., me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, E. G., me detyrë e Përgjegjës i Sektorit pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, O. P., me detyrë specialist i Buxhetit, si dhe në cilësinë e specialistit të përllogaritjes së taksës së ndikimit të infrastrukturës dhe S. P., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa ndaj tyre u caktua masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




