Fermerët e Maliqit ankohen për mungesë tregu! Rritja e çmimit të imputeve bujqësore, shton koston e prodhimit

Fermerët e fushës së Maliqit kanë arritur të shesin pjesën më të madhe të prodhimit të qepës së këtij viti, por sipas tyre, çmimi i shitjes është më i ulët se ai i një viti më parë. Në qoftë se vitin e kaluar 1 kilogram qepë, gjithnjë sipas fermerëve, është shitur nga 400 deri në 500 lekë, këtë vit 1 kilogram qepë nuk shkon më shumë se 320 lekë.
Rritja e kostos së prodhimit për shkak të rritjes së çmimit të imputeve bujqësore, por dhe çmimit në rritje për fuqinë punëtorë, ka bërë që fermerët të mendojnë të ulin sipërfaqet e mbjella me qepë sezonin e ardhmen. Fermerët theksojnë se e kanë të vështirë për të përcaktuar llojin e kulturës bujqësore që do të kultivojnë, për shkak të kostos së lartë dhe mungesës së tregut.
Burime zyrtare nga drejtoria e bujqësisë në bashkinë e Maliqit bëjnë me dije se prodhimi i qepës këtë vit ka qenë i mirë dhe se në fushën e Maliqit janë mbjellë 750 ha me qepë, duke qenë një nga kulturat kryesore që fermerët e kësaj zone kultivojnë, pas grurit dhe patates.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




