Festa e Sulltan Nevruzit, politika uron besimtarët: Dita e fisnikërisë dhe e ringjalljes së madhe

Të gjithë besimtarët bektashinj festojnë sot Sulltan Nevruzin, ditë kur lind shpresa për një të ardhme më të mirë. Në këtë ditë të shënuar për besimin bektashinj nuk kanë munguar as urimet nga politika shqiptare.
Presidenti Bajram Begaj uroi të gjithë besimtarët bektashianë që të “kenë pranverë në jetët e tyre”. Me rastin e ditës së Sulltan Novruzit, Begaj vizitoi edhe Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u takua me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
“Erdha sot të uroj besimtarët bektashinj për Festën e Sulltan Novruzit, ditën e lindjes së Imam Aliut, ditën e fisnikërisë bektashiane! Kënaqësi të takoja Kryegjyshin Botëror, në këtë ditë të rëndësishme. Uroj të gjithë besimtarët bektashinj, shëndet, mbarësi, lumturi e paqe në familjet e tyre dhe kudo! Kjo ditë e veçantë përkon me stinën e pranverës, me ngjyrat, optimizmin dhe gjallërinë që ajo ka! Kështu që uroj të gjithë shqiptarët, të kenë pranverë në jetët e tyre, të kenë shëndet dhe lumturi!”, tha Begaj.
Urimi për besimtarët nuk ka munguar edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilëson si një ditë të bekuar që çel zemrat e njerëzve njësoj si pranvera.
“Në festën e Sulltan Nevruzit, uroj që pranvera të çelë në zemrat tuaja si vetë kuptimi i kësaj dite të bekuar, shkruan Rama, në facebook.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e ka cilësuar festën Sulltan Nevruzit si festival i gjallërimit të natyrës dhe gëzimit të njerëzve.
“Sulltan Nevruzi, kjo ditë e hareshme, është shndërruar vit pas viti në një festival që përshëndet dhe simbolizon gjallërimin e natyrës dhe të njeriut.
Është festa e besimtarëve bektashinj, por edhe e njerëzve që u bashkohem atyre dhe që gëzojnë ardhjen e stinës së re, lindjen e ngrohtësisë, ndriçimin e dritës, ringjalljen e shpresës, triumfin e të mirës, forcën e besimit, shpërthimin e gëzimit, lumturinë që rrjedh prej paqes e harmonisë. Gëzuar të gjithëve që e kremtojnë Sulltan Nevruzin, kudo ku ndodhen!”, shkruan Nikolla.
Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa uroi besimtarët tha se kjo festë njihet si dita e fisnikërisë dhe e ringjalljes së madhe.
“Gëzuar festën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian! Paçi mbarësi, begati dhe shumë harmoni në familjen tuaj!”, shkruan Veliaj.
Festa e Sulltan Novrusit është një ditë pushimi zyrtar në Shqipëri. Kjo ditë, e ka origjinën që herët, por në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut.
Radio Televizioni Shqiptar ju uron të gjithë besimtarëve gëzuar Festën e Sulltan Nevruzit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




