Festohet Pashka në rrethe, besimtarët uruan njëri-tjetrin për më shumë paqe e dashuri

Aktualitet | 3 vite më parë

Me qirinjtë në duar, që ndriçonin nga drita e përjetësisë, në katedralen “Shën Shtjefni” të Shkodrës u mbajt mesha e shenjtë e vigjiljes së Pashkës.

Qindra besimtarë të pranishëm ndoqën lutjet e drejtuara nga Arqipeshkvi Metropolit i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra.

Edhe në Lezhë, besimtarët katolike ju bashkuan ritualit fetar në katedralen e “Shën Nikollit”. Rituali i cili zgjati deri në mesnatën e së shtunës, u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës monsinjor Otavio Vitale i cili në fjalën e tij para besimtareve, tha se Jezusi duhet të jetë në qendrën e jetës tonë si e vetmja mënyrë për të mposhtur frikën e çdo gjë tjetër.

Besimtarët katolikë të qarkut Berat kremtuan Pashkën dhe mesha e  shenjtë u mbajt në Kishën “Zonja e Këshillimit të mirë” në Kuçovë.Besimtarët katolikë beratas uruan njëri-tjetrin për më shumë paqe dhe dashuri në familjet e tyre.

Besimtarët katolikë kremtuan Pashkën në kishën e zonjës së pa përlyer në Fier. Besimtarët kanë ndjekur këtë të diel meshën ringjalljes së Jezu Krishtit. Të gjithë besimtarët janë bashkuar për të uruar ringjalljen e Jezu Krishtit duke dhënë mesazhe shpresë e dashurie. Të njejtat mesazhe ndau në fjalën e tij edhe Dom  Francesco Pascuale  i cili drejtoi meshën e shenjtë të pashkës.

Besimtarët katolikë të Lushnjës janë mbledhur në kishën e shenjtëve Pali dhe Pjetri për të marrë pjesë në meshën tradicionale të pashkës. At Pavlin Zefi ka drejtuar meshën dhe në fjalën e tij ka përçuar mesazhet e domethënies së pashkës, si fitore e jetës mbi vdekjen.

Pashka është një nga ngjarjet më të rëndësishme të besimit të krishterë. Ajo simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit dhe ringjalljen e tij duke marrë përsipër mëkatet e botës.

Simbol i kësaj feste janë vezët e kuqe dhe buka e Pashkës që bekohet një ditë para festës.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme