Fier, Balla: Ndëshkim ekzemplar për këdo që vendos zjarre të qëllimshme

Situata serioze me zjarret në Peshtan të Fierit, ka bërë që ministri i Brendshëm, Taulant Balla, të shkojë vetë në terren për të parë nga afër gjendjen.
Zjarri, i cili ka përfshirë kodrat me Pisha të Peshtanit, ka krijuar një situatë problematike jo vetëm për banorët, por edhe për pyllin. Policia mësohet se ka ndaluar personin e dyshuar për këtë zjarr.
Ministri Balla gjatë këtij inspektimi u shpreh se po ndjekim situatën e vatrave të zjarrit në disa qarqe të Shqipërisë, ku ka një situatë shqetësuese edhe në Vlorë.
“Aktualisht përveç Fierit, ku jam aktualisht, kemi një situatë të vështirë edhe në Vlorë. Në Fier kemi ndërhyrë gjatë ditës edhe nga ajri përmes helikopterit. Kemi ndaluar personin që dyshohet se ka shkaktuar zjarrin. Zjarrvënia është vepër penale dhe do të kërkojmë ndëshkim ekzemplar për këdo”,- tha Balla.
Mjetet zjarrfikëse të Fierit, Patosit, Roskovecit po luftojnë ende me flakët, duke u munduar që t’i ziolojnë ato, me qëllim që flakët të mos përhapen.
Edhe një helikopter u ka ardhur në ndihmë zjarrfikësve në Fier, me qëllim përballimin e gjendjes së krijuar, pasi flakët favorizohen edhe nga erërat dhe temperaturat e larta.



/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




